Lajme

Zyrtarizohet iniciativa për ndalimin e reklamimit të duhanit në Zvicër

Iniciativa në fjalë kërkon që të ndalohen të gjitha format e reklamave të duhanit që mund të jenë të arritshme për fëmijët ose të rinjtë

Iniciativa popullore “Fëmijët dhe të rinjtë pa reklama të duhanit” ka përmbushur kushtet për t`u hedhur në votim, gjegjësisht është bërë tashmë zyrtare.

Siç bën të ditur Zyra Federale (Kancelaria Federale) e Zvicrës, pothuajse të gjitha 110 mijë nënshkrimet për këtë iniciativë, të arritura gjatë muajit të kaluar, janë të vlefshme, shkruan srf.ch.

Iniciativa në fjalë kërkon që të ndalohen të gjitha format e reklamave të duhanit që mund të jenë të arritshme për fëmijët ose të rinjtë, transmeton albinfo.ch. Kjo iniciativë është lansuar nga organizata të shumta që veprojnë në lëmin e shëndetësisë në Zvicër.

Edhe sot, reklamimi i cigareve në pllakate që vendosen në hapësira publike është i ndaluar në shumë nga kantonet e Zvicrës, përcjell albinfo.ch. Por iniciativa synon që ndalesa në kantonet e veçanta të zëvendësohet me një ndalesë pllakatesh dhe reklamash tjera që do të vlente në mënyrë unike, në gjithë vendin.