Maqedonia

Zyrtarët e Aleancës për Shqiptarët tërhiqen nga institucionet

Funksionarët e Aleancës për Shqiptarët deponuan dorëheqjet në Qeveri e Maqedonisë. Dorëheqja e tyre erdhi tri ditë pas thirrjes së kryetarit të Aleancës për Shqiptarët për të dorëzuar mandatet e tyre.

Megjithatë, një pjesë e koalicionit parazgjedhor “Aleanca për Shqiptarët” do të mbetet në pushtet derisa të votohet ligji për gjuhët.

Ilmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët, përsërit qëndrimin se subjekti në fjalë do të mbështes reformat e nevojshme.

“Ne jemi tre zëvendësministra, një sekretar shtetëror dhe diku rreth tetë drejtorë, pra bëhet fjalë për 12-13 funksione të cilët i ka pasur ASH nëpër institucione. Mbi bazë të marrëveshjeve që i ka bërë Ziadin Sela me partnerët e koalicionit, pozicioni ministër i Pushtetit Lokal i ka takuar ASH-së, megjithatë opinioni i dinë rrjedhat politike dhe partiake të cilat kanë ndodhur deri më tani dhe ai ministër është i Vesel Memedit”, ka thënë Ilmi Aziri, përcjell albinfo.ch.