Kosova

Zvicra ndihmon në furnizimin me ujë të 6 fshatrave

Kryetari Kastrati dhe ministri Hamza përuruan fillimin e punimeve për projektin e furnizimit me ujë në gjashtë fshatra të Kamenicës

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku me ministrin e Financave të Kosovës, Bedri Hamza, kanë bërë përurimin e punimeve për furnizimin me ujë në fshatrat Hodonoc, Roganë, Novosellë, Muqivërc, Dajkoc dhe Shipashnicë të Poshtme.

Projekti për furnizimin me ujë përfshin puset, stacionin e pompimit (pompat që dërgojnë ujin në rezervuar dhe trafon), rezervuarin me vëllim V= 1000 m3 dhe rrjetin shpërndarës në këto fshatra rreth 35 km.

Kryetari Kastrati tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm për 25% të banorëve të Kamenicës dhe se i është mirënjohës ministrit Hamza për përkrahjen e vazhdueshme, përcjell albinfo.ch.

“Falënderoj jashtëzakonisht shumë ministrin Hamza për mbështetjen e tij të vazhdueshme, Zyrën Zvicerane për Bashkëpunim dhe organizatën joqeveritare CDI”, u shpreh ai.

Ndërkaq, ministri Hamza tha se gjithmonë do ta kemi mbështetjen e tij dhe se është i kënaqur që kryetari Kastrati po mundohet t’i shtyjë projektet përpara.

Ky projekt është mbështetur financiarisht nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim (SDC), Qeveria e Kosovës – Ministria e Financave dhe Komuna, projekt ky i cili ka vlerën prej 883.056.00€.