Tematike

Zyra Federale e Drejtësisë certifikohet për shumëgjuhësi

Me 284 të punësuar nga katër regjionet gjuhësore të Zvicrës, BJka plotësuar kriteret e vështira të certifikimit të cilat i ka vendosur fondacioni nga Biel/Bienne i quajtur Forumi për dygjuhësi

Pas një procedure për certifikim, e cila ka zgjatur disa muaj, sot Zyra Federale për Drejtësi (BJ) e ka marrë licencën e parë për shumëgjuhësi. Me 284 të punësuar nga katër regjionet gjuhësore të Zvicrës,  BJka plotësuar kriteret e vështira të certifikimit të cilat i ka vendosur fondacioni nga Biel/Bienne i quajtur Forumi për dygjuhësi. Dorëzimi i kësaj licence u bë sot në praninë e ministres për Drejtësi dhe Polici, SImonetta Sommaruga në Bernë, thuhet në një komunikatë nga zyra në fjalë.

Fondacioni i përmendur është themeluar në viti 1996 dhe mbështetet nga federata, kantoni i Bernës dhe nga qyteti Biel/Bienne, përcjell albinfo.ch. Ai merret me sfidat që paraqiten në lidhje me bashkësitë e ndryshme gjuhësore të Zvicrës.

Licenca për shumëgjuhësinë është ndërtuar nga forumi në fjalë duke u mbështetur në Ligjin mbi Gjuhët dhe në urdhëresën për jetësimin e tij si dhe në kritere të ndryshme specifike.

Duke qenë se licenca e re prek shumëgjuhësinë në institucionet federale (gjermanishtja, frëngjishtja dhe italishtja), ajo e kontrollon ushtrimin e gjuhëve të ndryshme në funksion të bashkëjetesës së bashkësive të ndryshme gjuhësore si dhe angazhimin e BJ-së për promovimin e pakicave gjuhësore dhe të shumëgjuhësisë brenda institucionit në fjalë.

Procesi i certifikimit ka përfshirë katër fusha: pamja dhe komunikimi në raport me jashtë, përbërja dhe kompetencat gjuhësore të punëtorëve, kualiteti i komunikimit të brendshëm në institucion dhe vlerësimi subjektiv i klimës gjuhësore në zyrë.

Licenca për shumëgjuhësi vërteton se BJ është në gjendje t`u përgjigjet me kompetencë në tri gjuhët e vendit pyetjeve të administratës federale, administratave kantonale dhe personave të tjerë. Sa i përket përbërjes së kuadrove, licenca kërkon që BJ të punësojë punonjës të cilët i takojnë një pakice gjuhësore në Zvicër.

Me synimin që të respektohet secila bashkësi gjuhësore, BJ ka dyfishuar gjatë pesë viteve të fundit punësimin e punonjësve italishtfolës. Ndërsa në rrafshin e drejtorive dhe në atë të kuadrove  po synohet rekrutimi në masë të shtuar i punonjësve frëngjishtfolës dhe italishtfolës.