Kosova

Zyra e Bizneseve të Diasporës Shqiptare bashkon Odën Ekonomike të Kosovës dhe Dhomën e Biznesit të Diasporës së Shqipërisë

Pas hapjes zyrtare të Zyrës së Bizneseve të Diasporës Shqiptare, në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës në Prishtinë, me nënshkrimin e presidentit të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër, Fehmi Fetai, dhe kryetarit të Odës, Lulzim Rafuna, sot u hodh një hap i rëndësishëm drejt bashkimit të fuqive ekonomike shqiptare në mbarë botën.

Kryetari i OEK, Lulzim Rafuna, dhe kryetari i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Ardian Lekaj, nënshkruan të enjten, në Prishtinë, Marrëveshjen e Mirëkuptimit për themelimin e Zyrës së Diasporës Mbarëkombëtare.

Kjo iniciativë unike synon të lidhë dhomat e biznesit, shoqatat bilaterale të biznesit dhe shoqatat e diasporës shqiptare, me fokus zhvillimin e diasporës, duke krijuar një strukturë mbështetëse që do të forcojë lidhjet ekonomike dhe do të promovojë investimet në rajon.

Zyra e Diasporës Mbarëkombëtare do të ofrojë një strukturë mbështetëse për të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë atdheut.
“Oda Ekonomike e Kosovës është krenare që është iniciatore e këtij projekti historik, i cili do të kontribuojë në zhvillimin e përbashkët dhe fuqizimin e komunitetit tonë global,” theksoi kryetari Rafuna.

Zyra e Bizneseve të Diasporës Shqiptare, në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës në Prishtinë, do të shërbejë si urë lidhëse mes bizneseve vendore dhe atyre në diasporë. Ajo synon të ndihmojë të gjithë prodhuesit kosovarë, të rinjtë dhe të rejat e Kosovës që kanë ide inovative, për të kërkuar partnerë dhe bashkëpunëtorë biznesi në diasporën e Kosovës, raporton albinfo.ch.

Lexoni po ashtu:

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare hapin Zyrën e Diasporës

Zyrtarisht hapet Zyra e Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Prishtinë