Integrimi
Me filmin “Smajli”, kundër paragjykimeve për “shacat”
Regjisorja Zymryte Hoxhaj në intervistën për albinfo.ch flet për konfliktin brenda "pjesës" shqiptare dhe asaj gjermane brenda vetes dhe thotë se përkatësia dy kulturave e nxit kreativitetin
Artistja Zymryte Hoxhaj ka fituar kohë më parë një çmim të rëndësishëm, atë të landit gjerman Saarland për videoanimacionin e saj “We are among you – jemi në mesin tuaj“. Por ky nuk është çmimi i vetëm dhe as e arritura më e madhe për artisten shqiptaro-gjermane.
Në një intervistë për albinfo.ch, Zymrytja flet për preokupimet e saj artistike, për konfliktin brenda “pjesës” shqiptare dhe asaj gjermane brenda vetes, për bashkëpunimet e suksesshme me artistë të Kosovës, për tejkalimin e paragjykimeve me “shaca” dhe “bala” etj.
Albinfo: Z.Hoxhaj, para ca ditësh, Ministria e Ekonomisë e Saarlandit shpërbleu punën tuaj me çmimin e artë për videon animative “We are among you-jemi në mesin tuaj”. Urime për këtë sukses! Na thuani diçka për këtë video.
Zymryte Hoxhaj: Animacioni „We are among you – jemi në mesin tuaj“ ishte një bashkëpunim me shoqatën joqeveritare CEL në Prishtinë. Gjatë një qëndrimi në Kosovë kam takuar kryetaren dhe shumë aktivistë të kësaj organizate me të cilët u pajtuam për një projekt të përbashkët. Koordinimi i projektit u bë nga Uta Ibrahimi, me të cilën kam bashkëpunuar gjatë punës sime te Karrota (Ogilvy) pjesëtarët e të cilës janë autorët e NEWBORN-it. Jam shumë e kënaqur me këtë bashkëpunim i cili ishte gjithmonë me një komunikim dhe besim të sinqertë të dyanshëm. Dizajn nuk do të thotë të krijosh vetëm diçka të bukur por edhe të marrësh përgjegjësi për të kontribuuar në sqarimin si p.sh. të barazisë gjinore dhe orientimeve seksuale, tema këto me të cilat ka të bëjë edhe animacioni. E çmoj shumë angazhimin e CEL-it për këto tema e për këtë arsye bashkëpunoj me shumë kënaqësi me ta.
Albinfo: Temat e punimeve tuaja shpesh kanë të bëjnë me Kosovën. Është kjo mënyra që keni zgjedhur për të mbajtur lidhjen me vendlindjen e prindërve tuaj?
Zymryte Hoxhaj: Shkoj shpesh dhe me shumë dëshirë në Kosovë, ku kam takuar njerëz të mrekullueshëm. Në të njëjtën kohë ka shumë gjëra të cilat nuk funksionojnë dhe më pengojnë, si pozita e gruas në shoqëri, patriarkalizmi, nacionalizmi, papunësia e madhe e të rinjve. Më ka interesuar gjithmonë se çka ndodh në Kosovë dhe unë kam gjetur gjithmonë mënyra dhe mjete të angazhohem si dizajnere dhe të jap kontributin tim. Natyrisht se prejardhja ndikon në punën time sepse çka ndodh në Kosovë indirekt ka të bëjë diçka edhe me mua. Për mua është shumë e rëndësishme të jem aktive edhe në Kosovë e jo vetëm të rri anash si një „Shac“ e të shikoj e të kritikoj.
“Ec e tregoj hallës në fshat se po punon një video për homoseksualët!”
Albinfo: E shihni si përparësi në punën tuaj njohjen e dy kulturave, gjermane dhe shqiptare?
Definitivisht po. Çdo kulturë më shumë që njeriu e njeh, është pasuri.
Mendoj se njerëzit që kanë lidhje me dy apo më shumë kultura, nëse i hapin sytë e shohin përtej muzikës tallava dhe turizmit martesor, janë më të ndjeshëm për bukurinë e detajeve. Por jo vetëm për këtë. Ata kuptojnë më mirë njerëzit, humorin, mënyrën e të jetuarit dhe nga kjo rezultojnë natyrisht motivimi dhe veprimi. Kjo mua ma lehtëson komunikimin. Me pasaportat tona kemi një privilegj i cili na mundëson një arsimim të mirë. Është thjesht budallaki nëse kjo mundësi nuk shfrytëzohet. Mjerisht kjo mundësi shfrytëzohet shumë pak nga ne, shqiptarët.
Albinfo: Shfaqen ndonjëhërë konflikte në mes pjesës suaj gjermane dhe asaj shqiptare në krijimtarinë e përditshme?
Zymryte Hoxhaj: Ec e tregoj hallës në fshat se je duke punuar në një video për homoseksualët!
Albinfo: Në një bisedë të mëparshmë na thatë se çdo njeri është kreativ. Kur ishte ai momenti kur zbuluat kreativitetin tuaj dhe kuptuat se një ditë do të bëni punën që e bëni sot?
Zymryte Hoxhaj: Në të menduarit mainstream, të jesh kreativ lidhet gjithmonë me art, muzikë dhe dizajn. Mendoj se kjo është idiotike. Kreativiteti fshihet në secilin nga ne. Te bukëpjekësi, ekonomisti apo aktori i teatrit. Mendoj se po të mos kishim bankier kreativ, bankat tona nuk do të ishin aq dinake. Kurrë nuk kam menduar se kur kam filluar të jem kreative por më duket se kreativiteti im rrjedh nga ndikimi i subkulturës punk, motoja e së cilës është, DIY- do it yourself.
Albinfo: Keni bashkëpunim edhe me kolegë tjerë nga Kosova pos CEL-it?
Zymryte Hoxhaj: Siç thashë edhe më parë, bashkëpunimin me CEL- in e cilësoj si shumë të çmueshëm. Edhe me autorët e Skena Up e cila mjerisht këtë vit nuk u realizua në mungesë të mjeteve financiare, kam një bashkëpunim. Një bashkëpunim të mirë kam edhe me FEMART. Në Kosovë kam njohur një numër të madh të artistëve dhe shoqatave të cilët kanë një potencial të madh.
Në filmin “Smajl”, secili e gjen veten diku
Albinfo: Si ishte bashkëpunimi i parë me ta? Kishin ata paragjykime për një “Shac” nga Gjermania?
Zymryte Hoxhaj: (qesh)… Jo. Mendoj se secili që flet me mua, mbas pesë minutash e sheh që nuk jam ai Shaci (Schatz) të cilin ndoshta e paramendojnë. Interesohem me gjithë zemër për problemet në Kosovë. Kur jam me kolegët e mi në Kosovë, interesohemi për njëri tjetrin dhe shpejt shohim se jemi dikund në valë të njëjta dhe kështu zhduken të gjitha paragjykimet. Unë nuk jam “Shac” e as ata “bala”. Është shumë tjeshtë por njerëzit mjerisht shumë rrallë mundohen ta njohin njëri tjetrin si duhet.
Albinfo: Me dokumentarin “Smajl” ku së bashku me kolegun tuaj Philipp Maier kthyet në film jetën e babait por edhe të krejt familjes suaj, prekët një temë të rëndësishme: jetën e gastarbeiterëve por edhe të fëmijëve të tyre në mes dy kulturave. Çfarë ishin reagimet e publikut, sidomos të atyre që kanë një histori të ngjajshme me atë të Smajl Hoxhajt?
Zymryte Hoxhaj: Ne jemi shumë të kënaqur me reagimet. Kaq inkurajim nga të gjitha anët nuk kemi pritur. Mendoj se në filmin “Smajl”, secili e gjen veten diku. Fëmijët e shohin se është e mundur të flitet edhe për temat tabu derisa prindërit e kuptojnë mjeshtërine e fëmijëve te tyre për të rregulluar jetën në mes dy kulturave. Gjenerata e vjetër qëndron mirë, pavarësisht ideologjive të tyre të vjetra, vizioneve dhe ideve nacionaliste. Kolegu Philipp Maier ka arritur që në mënyrë të ndjeshme por edhe me humor të ngacmojë një dialog në mes të kulturave dhe gjeneratave. Filmi nuk gjykon dhe nuk e ngre gishtin tregues. Edhe kjo ka ndikuar që filmi të pritet mirë. Mbas shfaqjes në „Dokufest“ një njeri në moshë foli gjatë me babain tim i cili ishte prezent aty. Një vajzë e re, thjesht më përqafoi. Të dytë falënderuan. Kjo ishte shumë emocionale dhe tregon se si është pritur filmi.
Prapa çdo njeriu fshihet një histori dhe një „pse“
Albinfo: Pas shfaqjeve në Kosovë, “Smajli” ka filluar të shfaqet edhe në Gjermani dhe madje në një fazë kur refugjatët dhe migrantët janë temë aktuale në shoqërinë gjermane. Si është rezonanca e medieve gjermane por edhe e publikut gjerman për “Smajl”-in?*
Zymryte Hoxhaj: Filmi po shfaqet pikërisht në kohën e duhur. Ne e kemi qëlluar nervin e kohës edhepse kur filluam punën me film, ky nuk ishte qëllim ynë. Pikërisht tani në situatën aktuale kur njerëzit të ballafaquar me frikë dhe paragjykime po e humbin humanitetin e tyre, është me rëndësi të tregohet se prapa çdo njeriu fshihet një histori dhe një „pse“. Në Gjermani filmi është shfaqur deri më tani në disa festivale dhe për të kanë raportuar disa medie. Por nga reagimet deri tani mund të themi se po diçka po ndërron. Më nuk shihet vetëm shqiptari i keq i cili nuk e lejon vajzën të martohet me një gjerman, por po shihet rezultati: pajtimi dhe respekti i dyanshëm si rrjedhë e nje edukimi me plot dashuri. Në përgjithësi, reagimet si të publikut gjerman ashtu dhe të atij shqiptar, janë të mira. Bëhet fjalë për njerëzit dhe frikën e tyre nga dështimi, kjo është diçka universale. Kjo është rezonanca që kemi marrë.
Albinfo: Keni në plan që filmi të shfaqet edhe në ndonjë vend tjetër evropian?
Zymryte Hoxhaj: Me përkrahjen e shoqatës URACult e.V. nga Kölni, kemi shaqur filmin në Köln. Së bashku me URACult dhe 7arte, kemi shaqur filmin edhe në Vushtrri dhe Mitrovicë. Filmi u prezantua edhe në Dokufest. Natyrisht se jemi të interesuar që filmi të shikohet nga sa më shumë njerëz edhe në vende tjera. Pikërisht ashtu sikur libri që dëshiron të lexohet apo njeriu që dëshiron të kuptohet, edhe filmi dëshiron të shikohet.
Albinfo: Të kthehemi edhe një herë te çmimi i Ministrisë. Ishte ky kulmi i sukseseve tuaja në këtë vit?
Zymryte Hoxhaj: Natyrisht se ky çmim është një nder i madh jo vetëm për mua por edhe për Studio Bureau Stabil. Kjo na tregon se jemi në rrugë të drejtë. Unë nuk e shoh këtë çmim si suksesin më të madh. Medaljet, çmimet apo fotot, e kanë vendin në vitrina apo mure.
Unë e kërkoj gjithnjë kontaktin me njerëz. Me njerëz festojmë çdo ditë suksese të vogla, si për shembull një buzëqeshje nga fqinji apo një djalosh që i ndihmon një gruaje të vjetër të kalojë rrugën. Për këto gjëra të bukura njerëzore nuk mund të dizajnohet një çmim.
Albinfo: Si mund ta përshkruani vitin të cilit po i afrohet fundi?
Zymryte Hoxhaj: Ishte dhe është ende një vit i mirë. Çdo vit është i mirë. Unë jam shumë optimiste. Motoja ime është: të vazhdoj edhe më tutje!
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka...
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor