Lajme

Zvicrën sonte dhe nesër e pret një mot me stuhi të fuqishme dhe ortekë bore

Në orët në vijim në Zvicër parashikohet mot i ligë. Në veri të Zvicrës do të ketë stuhi me rrebeshe që do të shkojnë deri në 160 kilometra në orë

Të dielën në mbrëmje dhe po ashtu në mbrëmjen e të hënës, një “çrregullim” moti do të sjellë shpërthime të forta ere dhe reshje të mëdha, veçanërisht në veri të vendit, transmeton albinfo.ch. Në ultësira, vija e reshjeve të borës do të jetë kryesisht midis rreth 800 dhe 1300 metrash lartësi mbidetare, ndërsa në mëngjes kjo vijë pritet të zbresë edhe në ultësira.

Të hënën priten po ashtu reshje të pakta bore, veçanërisht në zonat malore.

Sipas “MeteoNews”, stuhia do të arrijë kulmin e shpejtësisë së saj në orët në vijim kur do të fryjë rreth  70 deri në 100 kilometra në orë dhe lokalisht pak më shumë në Mittelland (pjesa e mesme e Zvicrës: Aargau, Solothurn, Bernë etj.).

Shpërthimet e uraganit prej 130 deri në 160 kilometra në orë duhet të priten në majat dhe kreshtat më të ekspozuara të maleve, shkruan 20minuten.ch. Nga mbrëmja e së dielës deri në mesditën e të hënës, niveli i rrezikut në shkallën 3 (nga 5 sa janë gjithsej) vlen pothuajse në gjithë Zvicrën.

Ekspertët paralajmërojnë për rrezikun e këputjes ose rrëzimit të trungjeve të pemëve, thyerjen e degëve dhe rrëzimin embulesave provizore nëpër ndërtime.

Deri në mëngjesin e së hënës, 30 deri në 50 centimetra borë e freskët 

Krahas stuhisë, priten reshje dëbore më të mëdha dhe një rrezik në rritje i ortekëve. Është shumë e mundur që në disa zona të aktivizohet sërish niveli i dytë më i lartë i paralajmërimit . Niveli i paralajmërimit 4 nënkupton një rrezik të lartë të ortekëve.

Gjatë ditës së hënë, reshjet pritet të zbuten fillimisht në ultësira dhe në Zvicrën frëngjishtfolëse dhe më në fund në krahun verior lindor të Alpeve, përcjell albinfo.ch. Sa i përket borës së freskët, midis regjionit Berner Oberland dhe Silvretta, bora e re pritet të mbërrijë midis 30 dhe 50 centimetra deri të hënën në mbrëmje. Në disa vende ajo mund të arrijë deri në 70 centimetra.