Shqipëria

Zvicra vazhdon të përkrahë Shqipërinë

Zvicra është një nga donatorët kryesorë dhe partnere e qëndrueshme ekonomike e tregtare

Zvicra do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në kuadër të strategjisë së bashkëpunimit deri në vitin 2021.

Garancia për këtë është dhënë nga sekretarja zvicerane e Shtetit Ineichen-Fleisch, e cila u prit në një takim nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Në këtë takim, duke iu referuar interesit të përbashkët për të zhvilluar dhe intensifikuar më tej bashkëpunimin ekonomik, presidenti Meta përshëndeti praninë dhe kontributin e kompanive zvicerane në Shqipëri dhe inkurajoi një prani më të madhe të tyre në sektorët strategjikë.

Meta vlerësoi marrëdhëniet midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe financiare dhe asistencën teknike që Zvicra i ka dhënë Shqipërisë që prej vitit 1992 e në vijim.

Zvicra është një nga donatorët kryesorë dhe partnere e qëndrueshme ekonomike e tregtare, thotë Presidenca, dhe mbështetja zvicerane për qeverisjen demokratike, decentralizimin dhe rritjen e kapaciteteve lokale, përmirësimin e infrastrukturës urbane dhe energjetike, përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe në fushën e arsimit profesional ka qenë shumë domethënëse për zhvillimin social dhe ekonomik të vendit.