Lajme

Zvicra u zgjodh në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Zvicra ka aplikuar me sukses për anëtarësim dyvjeçar në Këshillin e OKB-së. Aplikimi u pranua në Nju Jork të enjten (sot) me 187 vota nga gjithsej 190

“A plus for peace” – një plus për paqen: Zvicra ka përdorur këtë slogan për të bërë fushatë për zgjedhjet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që u bën sot, në mes 192 anëtarëve të tjerë të OKB-së. Kandidatura e Zvicrës u pranua të enjten në mbrëmje (me orën zvicerane) me 187 vota, transmeton albinfo.ch.

Malta, Japonia, Mozambiku dhe Ekuadori u pranuan gjithashtu në Këshillin e Sigurimit në të njëjtin votim.

Zgjedhjet e së enjtes ishin të sigurta për të gjithë kandidatët, sepse zyrtarisht nuk kishte kandiduar asnjë vend tjetër, shkruan 20minuten.ch.

Anëtarësimi dyvjeçar fillon vitin e ardhshëm

Këshilli i Sigurimit i OKB-së është i vetmi organ i OKB-së me fuqinë për të miratuar rezoluta që janë të detyrueshme sipas ligjit ndërkombëtar. Por, ai dominohet nga pesë anëtarët e përhershëm: SHBA, Kina, Rusia, Britania e Madhe dhe Franca, të cilat të vetmet kanë të drejtën e vetos dhe mund të bllokojnë çdo veprim.

Dhjetë vendet e tjera jo të përhershme ndahen midis Grupeve Rajonale të OKB-së. Blloku afrikan ka të drejtën për tri vende. Azia, grupi i vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve dhe grupi i vendeve të Evropës Perëndimore dhe vendeve të tjera kanë secila nga dy vende, dhe Evropa Lindore një. Anëtarësimi jo i përhershëm është i kufizuar në dy vjet.

SVP u përpoq të parandalonte anëtarësimin

Partia e djathtë konservative SVP ishte përpjekur disa herë për të parandaluar anëtarësimin. Të enjten në mëngjes, parlamentarët e SVP në Bundesplatz, Bernë, përsëri kritikuan qartë pranimin.  “Tani Zvicra është pa dyshim një parti lufte”, mund të lexohej në pankartat e tyre.

Përfaqësuesit e SVP-së e kishin kritikuar tashmë aplikimin në një seancë të jashtëzakonshme në Parlament, të mbajtur në mars.

Nga ana tjetër, Departamenti Federal i Punëve të Jashtme (EDA) ka shkruar se kandidatura “vazhdon angazhimin e Zvicrës për paqen dhe sigurinë brenda OKB-së dhe në botë”, përcjell albinfo.ch. Sipas Kartës së OKB-së, Këshilli i Sigurimit mban “përgjegjësinë parësore për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”.