Tematike

Zvicra u kërkon shteteve tjera angazhim të detektivëve për abuzuesit me pensionet zvicerane

Në rast se punonjësit e sigurimit kanë dyshime të bazuara se ndonjëri nga shfrytëzuesit e pensioneve në fjalë është duke përfituar pa të drejtë, Sigurimi i Zvicrës do t`i lusë shtetet përkatëse që të zhvillojnë hetime ndaj mashtruesve të dyshuar dhe për të realizuar këtë, të angazhojnë edhe detektivë

Sigurimi zviceran i invaliditetit për çdo vit paguan 32 mijë pensione jashtë vendit. Bëhet fjalë për pensionistët të cilët kanë punuar në Zvicër dhe tash kanë vendosur të jetojnë në vendin e prejardhjes ose edhe në ndonjë vend tjetër.

Ky sigurim, për të luftuar abuzimin me pensione ka vendosur të ndryshojë mënyrën e qasjes së deritashme, shkruan tagesanzeiger.ch. Në rast se punonjësit e sigurimit kanë dyshime të bazuara se ndonjëri nga shfrytëzuesit e pensioneve në fjalë është duke përfituar pa të drejtë, Sigurimi i Zvicrës do t`i lusë shtetet përkatëse që të zhvillojnë hetime ndaj mashtruesve të dyshuar dhe për të realizuar këtë, të angazhojnë edhe detektivë.

Me këtë veprim, Zvicra e ndryshon kursin që kishte marrë më herët, për të bërë vetë observimin e abuzuesve me pensione të invaliditetit, transmeton albinfo.ch. Siç është shkruar tashmë, observime të tilla ishin realizuar në vitin 2009 në Tajlandë dhe në Kosovë. Madje, ishte spekuluar se vëzhgimet përmes detektivëve të bëra asokohe në Kosovë, kishin rezultuar me ndërprerjen e marrëveshjes për sigurime sociale Zvicër-Kosovë. Një gjë që më vonë qe përgënjeshtruar nga autoritetet zvicerane, shkruan albinfo.ch.

“Për ne është e vështirë që jashtë vendit të sigurojmë informacione lidhur me pensionistët e invaliditetit”, thotë Harald Sohns, zëdhënës i Zyrës Federale për sigurime Sociale (BSV). Angazhimi i kërkuar në këtë rast është shumë i madh ndërsa rezultati, i pasigurt. Kjo pasi që sipas tij, një detektiv zviceran që shkon në një vend të huaj do ta ketë të vështirë të veprojë atje, pasi që nuk i njeh rrethanat, qasjen me organet e shtetit etj.

Për këtë arsye, është ardhur në përfundimin se do të jetë shumë më efikase që hetimet t`i marrë përsipër shteti në të cilin jeton pensionisti përkatës, i dyshuar.

Për ta realizuar këtë, Zvicra parashikon që në marrëveshjet ekzistuese dhe të reja me shtetet tjera të fusë edhe klauzolën që obligon shtetin nënshkrues për të zhvilluar hetime në rastet e dyshimit për abuzim nga ana e shfrytëzuesve të pensioneve zvicerane, të cilët jetojnë në shtetin nënshkrues, përcjell albinfo.ch. Anasjelltas, edhe Zvicra zotohet që të hetojë pensionistët eventualë të shteteve përkatëse, të cilët jetojnë në Zvicër.

Observimet duhet të bëhen, siç thotë Sohns edhe për rastet kur duhet të konstatohet nëse pensionisti jeton ose jo, ashtu si dhe në rastet e dyshimit se a ka ai ose ajo fëmijë, të cilët figurojnë në dokumente.

“Por ne ndërhyjmë me observime vetëm kur me hetimet tjera nuk kemi arritur rezultat dhe vetëm kur shumat e dyshuara për abuzim janë të larta”, thotë Sohns.