Lajme

Zvicra, ndër shtetet më të këqija evropiane për hendekun e të ardhurave gjinore

Gratë në Zvicër fitojnë 43.2% më pak se burrat dhe marrin më pak pension për shkak të shkallës më të lartë të punës me kohë të pjesshme, transmeton albinfo.ch.

Studimi i Hendekut të Fitimeve të Përgjithshme Gjinore (GOEG), i kërkuar nga Parlamenti në vitin 2019, tregoi se Zvicra performoi relativisht dobët në krahasim me vendet e tjera evropiane.

“Në vitin 2018, GOEG për Zvicrën ishte 43.2%. Kjo do të thotë se të ardhurat e grave janë 43.2% më të ulëta se ato të burrave për të gjitha orët e punuara midis moshës 15 dhe 64 vjeç”, tha Zyra Federale e Statistikave në një deklaratë.

Në vitin 2018 Zvicra u rendit e treta nga 30 vende evropiane – pas Holandës dhe Austrisë – me hendekun më të madh të pagave të përgjithshme midis grave dhe burrave.

Raporti tha se ky ndryshim i madh midis gjinive në Zvicër është kryesisht për shkak të “përqindjes së lartë të grave që punojnë me kohë të pjesshme”. Gratë përbëjnë gjysmën e fuqisë punëtore shumë të kualifikuar, por punojnë më pak orë. Ndërsa 63% e të gjitha grave të punësuara të moshës 25 deri në 54 vjeç punojnë me kohë të pjesshme në vendin alpin, kjo shifër është vetëm 28% në Bashkimin Evropian.

Në vitin 2020 hendeku gjinor i pensioneve ishte 34.6%, thuhet në raport. Pensioni mesatar total vjetor për gratë ishte 35,840 CHF, 18,924 CHF më i ulët se ai për burrat. Kjo reflektoi dallimet në pjesëmarrjen në punësim, efektet e modeleve të familjes dhe jetës, dhe pabarazinë e pagave ndërmjet gjinive me kalimin e kohës.

Të dhënat vijnë përpara një votimi mbarëkombëtar më 25 shtator nëse do të reformohet sistemi shtetëror i pensioneve, duke rritur moshën e pensionit të grave me një vit në 65 – njësoj si ajo për burrat – dhe duke rritur normat e tatimit mbi vlerën e shtuar për të ndihmuar në financimin e sistemit, transmeton tutje albinfo.ch.