Integrimi
Zvicra prin në aftësimin e kuadrove profesionale, por nuk e njeh sa duhet potencialin e emigrantëve
Albinfo.ch ka organizuar më 3 dhjetor 2015 në Bernë një konferencë me temën potenciali i migranteve dhe migrantëve në arsimin profesional. Kjo tryezë diskutimi që është zhvilluar me rastin e vitit të pestë jubilar të platformës albinfo.ch ka nxjerrë në pah një dinamikë ndryshe të perceptimit të potencialit që sjellin migrantët në vend, duke prekur kështu dy tema të rëndësishme për debat mes panelistëve të ftuar: potencialin e migrantëve dhe shkollimin profesional.
Mes panelistëve pjesëmarrës, si profesori Walter Leimgruber, president i Komisionit Federal për Migracion (EKM) dhe Jean-Pascal Lüthi, shef i Sektorit për Arsimimin Bazë dhe Maturën, Sekretariati për Arsim, Hulumtim dhe Inovacion (SBFI), u zhvillua një debat me ilustrimin e praktikave të punës mes potencialit që sjellin migrantët dhe ofertat për shkollim profesional që iu ofron shteti helvetik.
Krahas Amala Zurkirchen, udhëheqëse e „Arsimit“ dhe anëtare e Menaxhimit të Shoqatës Tregtare, në podium merrte pjesë edhe profesori në Shkollën e Lartë të Zvicrës perëndimore në Gjenevë (HES-SO), Claudio Bolzman.
Shembulli konkret i kombinimit mes potencialit të një migranti dhe shkollimit profesional që ofron Zvicra ishte pjesëmarrja në konferencë e drejtorit të kompanisë së orëve zvicerane Efteor SA, Leonis Tafaj.
Për grupin e migrantëve nga Ballkani u tha se është në rrugë të mirë drejt integrimit në shoqërinë zvicerane. Rruga e një integrimi të suksesshëm nuk është e njëjtë për të gjithë migrantët. Për italianët u tha se barriera gjuhësore ka qenë sfida më e madhe në rrugën e tyre të integrimit në shoqërinë zvicerane. Grupi nga Ballkani, krahas barrierës gjuhësore, është ballafaquar edhe me dallimet kulturore. Përderisa grupit të migrantëve nga Eritreja iu mungon baza kryesore për njohjen e jetës këtu, kështu që adaptimi është një proces që zgjat e merr shumë kohë, vlerësuan panelistët në një tryezë dinamike të diskutimit mes gjuhës frenge e gjermane para një audience të përzier.
„Ne kemi kërkuar punëtorë, por na kanë ardhur njerëz“
President i Komisionit Federal për Migracion (EKM), profesori Walter Leimgruber, veçoi dy pika të rëndësishme për diskutim; në njërën anë mund të përmendim citatin e Max Frisch, i cili thotë: „Ne kemi kërkuar punëtorë, por na kanë ardhur njerëz“.
Dhe, në anën tjetër, potencialin njerëzor, i cili nuk mund të kufizohet vetëm në tregun e punës.
Ne i kemi sjellë njerëzit, sepse kemi pasur nevojë për ta, përkatësisht për ekoniminë tonë dhe se automatikisht kemi shfrytëzuar edhe potencialin e tyre, u shpreh më tutje Leimgruber, duke veçuar si pikë të dytë të rëndësishme nevojën e vendit për fuqi punëtore.
„Në vitet e ardhshme do të kemi për çdo vit me dhjetëra-mijëra njerëz më tepër të pensionuar dhe më pak të rinj që do të hyjnë në tregun e punës“. Kjo na sjell neve para një sfide enorme, ku përgjigjja më e lehtë në këtë pikë do të ishte natyrisht rritja e migracionit. Por, ne të gjithë e dimë se politikisht kjo është në pikën më të lartë të refuzimit. Ndonëse, sipas tij, ka vlerësime se migracioni në Evropë duhet të katërfishohet, pra ka nevojë për fuqi punëtore.
Politikisht kjo nuk është e lehtë për t’u realizuar, u shpreh ai. Për këtë arsye kërkohen alternativa me këta njerëz që jetojnë në këtë shtet, pavarësisht a janë zviceranë apo të huaj, ata duhet të integrohen edhe më mirë në tregun e punës, në shoqëri dhe në të gjitha fushat e tjera, me synimin që këta njerëz mundësisht të jenë për një kohë të gjatë aktivë në tregun e punës.
Profesori Leimgruber mes tjerash u shpreh pro shkollimit plotësues për fëmijët me rrënjë migracioni. Këtë masë plotësuese ne e kemi propozuar disa herë si pjesë e lehtësimit të integrimit për ta mësuar gjuhën e parë më mirë e më rrjedhshëm, deklaroi profesori Leimgruber.
Po në këtë pjesë të debatit për vlerësimet rreth shkollimit profesional foli edhe Amali Zurkirchen, e cila kërkoi angazhim aty ku kemi qasje, aty ku mund të kumtojmë lajmin.
Duke parë po ashtu të nevojshëm mësimin plotësues të fëmijëve me rrënjë migracioni.
Zurkirchen: Potencialin e njerëzve të ardhur me diploma në xhep e njohim
Sipas saj, kjo qasje do të shërbente për të krijuar kontakte më të lehta me prindërit e fëmijëve në gjuhën të cilën ata e kuptojnë. Këtu një rol të rëndësishëm mund të luajnë shoqatat e migrantëve, tha ajo në debatin dygjuhësh frengjisht dhe gjermanisht, ku të pranishëm ishin përfaqësuesit e Ambasadës së Kosovës, minsitri i Diasporës, Valon Murati dhe figura të tjera publike nga jeta sociale e kulturore në Zvicër.
Udhëheqësja për „Arsim“ dhe anëtarja e Menaxhimit të Shoqatës Tregtare, Amali Zurkirchen, tha se më parë është folur për resurset e migrantëve, sot ndërkaq ka një model tjetër që quhet “potenciali i migrantëve” dhe ky potencial ka një shpjegim për personat që vijnë në Zvicër me një diplomë në xhep, potenciali i tij dihet, veçoi ajo. Por puna vështirësohet me ardhjen e njerëzve pa diploma, potencialin e tyre ne nuk e njohim, andaj këtu kërkohet më tepër angazhim.
Sistemi i shkollimit profesional që ndjek Zvicra është i ndryshëm nga ai italian dhe vendet e tjera. Përmes aftësimit profesional migrantët i kanë mundësitë shumë më të mira në tregun e punës dhe Zvicra u vlerësua lidere e mundësive për t’u aftësuar profesionalisht. Integrimi i shpejtë i të huajve në Zvicër u tha po ashtu se është i lidhur ngushtë me vendin e prejardhjes së migrantëve, nivelin e aftësimit nëpër shkolla ku ata kanë ndjekur, ngjashmëritë kulturore dhe mënyrën e zhvillimit të jetës.
Bolzman: Punëdhënësit nuk e njohin potencialin e fuqisë së kualifikuar punëtore në mesin e migrantëve
Potenciali i migrantëve bëhet interesant vetëm atëherë kur vendi mikpritës e njeh atë si një burim të shfrytëzueshëm, deklaroi Claudio Bolzman.
Profesori nga Gjeneva foli për nevojën e dallimit të migrantëve të kualifikuar që vijnë në Zvicër me një kontratë pune, prej atyre që vijnë për arsye të tjera, siç janë martesa, azili politik ose ekonomik.
Aftësitë e migrantëve që vijnë në Zvicër me një kontratë pune vlerësohen dhe shfrytëzohen mjaftë mirë, u shpreh ai. Por, sipas tij, e kundërta ndodh me migrantët e kualifikuar, të cilët vijnë për arsye të tjera sikur ato të lartpërmendura.
„Në të vërtetë, emigrantët e grupit të dytë janë lënë pasdore, aftësitë e tyre profesionale nuk shfrytëzohen si duhet nga vendi pritës“.
Më tej ai deklaroi se gjysma e migrantëve të kualifikuar i përkasin kategorisë së dytë. Ky fakt dëshmon se kemi të bëjmë me një humbje të vërtetë të trurit.
Këtij fenomeni duhet t’i shtohet edhe rasti i studentëve të huaj që formohen dhe profesionalizohen në Zvicër, por nuk mund të qëndrojnë këtu. Ata nuk kanë më shumë se 6 muaj kohë për të gjetur punë, ndryshe duhet ta braktisin vendin. Raste të këtilla tregojnë se nga këta studentë përfitojnë vendet e tjera evropiane.
Për të mos ndodhur, kjo Bolzman kërkoi më tepër bashkëpunim me punëdhënësit, sese sipas tij, ka mungesë informacionesh te punëdhënësit mbi aftësitë profesionale që kanë migrantët.
„Ata nuk e njohin potencialin e fuqisë punëtore të kualifikuar që ekziston në Zvicër“, u shpreh profesori Bolzman.
Shteti zviceran duhet të ndërmarrë masa për të vlerësuar dhe shfrytëzuar më mirë kompetencat e popullsisë me origjinë emigrante.
„Për të zgjidhur plotësisht funksionimin e shfrytëzimit të mirëfilltë të këtij potenciali, institucionet duhet, ndër të tjera, të sigurojnë një përpjekje reale në aspektin e informimit të prindërve me origjinë të huaj, në ngritjen e procedurës së ekuivalencave, në mundësitë e formacioneve shtesë, si dhe në zgjerimin e mundësive për punësi“.
Lüthi: Ka ende shumë potencial të pashfrytëzuar
Jean-Pascal Lüthi, përfaqësues i formimit profesional të Sekretariatit Shtetëror për trajnim, kërkim shkencor dhe inovacionin (SEFRI), thekson se kemi të bëjmë me një dëshirë të vërtetë për të përforcuar gjimnazin profesional. Sipas z. Lüthi, ka ende shumë potencial që është i pashfrytëzuar. Për më tepër, është e qartë se modeli i gjimnazit klasik është një model në rënie. Aktualisht disa hulumtime janë duke u kryer, të cilat janë të fokusuara në krijimin e modeleve të reja të trajnimit.
Në këtë kuptim, një punë e vërtetë është gati të jetë krijuar për të përmirësuar kanalet e informacionit dhe të komunikimit. Disa projekte apo programe janë duke u zhvilluar, të cilat mund të gjenden në faqen e internetit të SEFRI në lidhje me të mësuarit, dëshirën për të forcuar udhëzimin në karrierë, por edhe projekte të integrimit, të tilla si “Match prof”. Të gjitha këto përmasa janë pjesë e një perspektive të përmirësimit dhe forcimit të trajnimit dhe integrimit. Me fjalë të tjera, qëllimi është që të integrojmë më mirë dhe më shpejt të rinjtë në fushën e trajnimeve.
Drejtori shqiptar i kompanisë së orëve Efteor: „Potencialin e ke ose nuk e ke“
Moderatorja e konferencës, gazetarja e Radio Televizionit Zviceran (RTS), Anne Fournier, paraqiti para të pranishmëve përvojën e biznesmenit shqiptar që kishte ndjekur rrugën e shkollimit profesional. Panelisti Leonis Tafaj tregoi mundësitë e shumta që ofron shkollimi profesional në Zvicër, duke filluar prej një zanati të zakonshëm e deri në nivelet më të larta të shkollimit. Dallim këtu bën vetëm rruga më e gjatë apo më e shkurtër e shkollimit që ndjek apo e ka si mundësi qytetari. Tafaj përmes shkollimit të tij gradual ka bërë emër në industrinë më konkurrente zvicerane të dizajnimit dhe prodhimit të orëve të dorës. Drejtori shqiptar firmës Efteor SA , Leonis Tafaj, tregoi storien e suksesit në rrugën e shkollimit që ai ka ndjekur.
Për potencialin si term ai kishte një mendim ndryshe nga panelistët e tjerë. “Potencialin e ke ose nuk e ke“, tha ai. Për ta plotësuar termin e potencialit, ai bëri një krahasim mes Zvicrës dhe Sirisë apo Irakut. „Ne kemi një teknologji shumë të zhvilluar, por për punë dore kemi ende shumë nevojë për të mësuar. Refugjatët nga Siria e Iraku kanë një potencial të madh në punë dore“, vlerësoi Tafaj që në biznesin e orëve të tij krahas teknologjisë, shumë me rëndësi është edhe zotërimi i punës së dorës.
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve