Shkurt.ch

Zvicra pranon 36 refugjatë sirianë

Për pranimin e tyre ka vendosur ministrja e drejtësisë, Simonetta Sommaruga, e cila ndërkaq është kritikuar nga SVP-UDC

Në kuadrin e një programi humanitar ndërkombëtar, Zvicra ka marrë për t`i strehuar 36 refugjatë nga Siria. Sipas të dhënave të OKB-së programi në fjalë është menduar për t`iu siguruar refugjatëve mbrojtjen e duhur, por edhe për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për ta.

Zgjidhja për 36 refugjatët nga Siria gjendet në Zvicër dhe ata nuk i nënshtrohen procedurës së zakonshme të azilit.

Personat e strehuar nga Zvicra kanë lidhje familjare në mes vete dhe pasi që kanë ikur nga Siria, kanë qëndruar për një kohë të gjatë në Liban. UNHCR ka vlerësuar se ata i takojnë një kategorie shumë të rrezikuar në Siri.

Për pranimin e tyre ka vendosur ministrja e drejtësisë, Simonetta Sommaruga. Në kompetencën e saj është që të mund të vendosë vetë për pranimin në Zvicër të grupeve deri në 100 persona. Pranimi 40 të tjerëve është në shqyrtim e sipër.

Ky është grupi i parë, i madh i pranuar kolektivisht pas ndërprerjes, në vitin 1995 të politikës së kontingjenteve nga ana e Zvicrës.

Ndërkaq, SVP-UDC ka reaguar menjëherë ndaj këtij vendimi të ministres duke e quajtur atë akt skandaloz.