Uncategorized

Zvicra, për të shtatin vit radhazi numër 1 në botë për aftësinë konkurruese

Pas Zvicrës vjen Singapuri ndërsa në vendin e tretë është SHBA. Gjermania këtë vit është ngjitur në vendin e katërt, por vlerësimi është bërë para skandalit të VW-së

Forumi Ekonomik Botëror (WEF) ka shpallur  Zvicrën vendin numër një për sa i përket aftësisë konkurruese në botë. Me këtë shpallje, Zvicra për të shtatin vit me radhë zë vendin e parë në Indeksin Global të Aftësisë Konkurruese të WEF-it.
Kriteret në bazë të cilave vendet radhiten në këtë ranglistë janë gjithsej 12. Ndër kryesoret janë inovacioni i prodhimeve dhe i procedurave të  prodhimit, pastaj bashkëveprimi në mes të shkencës dhe ekonomisë si dhe investimet në hulumtime dhe në zhvillim.
Me gjithë lëvdatat, përpiluesit e listës tërheqin vërejtjen se Zvicrës mund t`i rrezikohet vendi i parë. Ndër arsyet për një rrezik të tillë janë frangu i fortë, burokracia, iniciativa e cila kufizon migracionin masiv etj.
Në listën e vendeve të vlerësuara janë 140 shtete. Menjëherë pas Zvicrës vjen Singapuri ndërsa ne vendin e tretë është SHBA.  Gjermania, nga vendi i pestë që ka pasur një vit më parë, këtë vit është ngjitur në vendin e katërt. Por vlerësimi është bërë para se të plaste skandali me makinat e koncernit VW.
Në vendin e pestë vjen Holanda dhe pasojnë Japonia Hong Kongu, Finlanda, Suedia dhe Britania e Madhe.