Shkurt.ch

Zvicra në mesin e vendeve më të sigurta

Derisa Zvicra renditet në mesin e vendeve më të sigurta, Bosnja dhe Mali i Zi, janë vlerësuar si shtetet më të rrezikshme të Evropës

Bazuar në një hulumtim të “Euromanias”, me të cilin janë bërë vlerësimet politike, ekonomike dhe strukturale të rrezikut, shtetet më të sigurta janë vlrësuar të jenë Norvegjia, Luksemburgu, Zvicra, Danimarka dhe Suedia, ndërsa në mesin e 10 më të lartave janë edhe Singapori, Finlanda, Kanadaja, Holanda dhe Gjermania.

Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi janë dy shtetet ballkanike që renditen më së larti në listën e shteteve më të rrezikshme në Evropën Qendrore dhe atë Juglindore, bazuar në vlerësimet e  treguar nga  hulumtimi i “Euromanias”.

Bosnja renditet e 130-ta, ndërsa Mali i Zi zë vendin e 107-të në raportin global të qershorit, i cili përfshinë mendimin e ekonomistëve për siguri në 184 shtete të ndryshme të botës.

“Mali i Zi bie kaq poshtë në listë për shkak të rezultateve ekonomike, duke pasur parasysh faktin se ekonomistët si problemin kryesor të shtetit e shohin stabilitetin e bankave dhe përqindjen e punësimit. Shteti është krejt në fund të listës, renditur në mesin e 10 shteteve të Evropës Qendrore dhe Juglindore, bazuar në faktin e qasjes në kapitalin tregtar. Në këtë mes, Kroacia bashkërenditet edhe me Bjellorusinë”, thuhet në raport.

Nga shtetet e rajonit, përveç Malit të Zi dhe Bosnjës, Kroacia zë vendin e 61-të në renditjen globale, Serbia ndodhet në vendin e 84-të, Maqedonia në të 87-tin dhe Shqipëria në vendin e 91-të.