Shkurt.ch

Zvicra, me “instrumente të dobëta” për luftimin e terrorizmit

"Zvicra bën pjesë në mesin e shteteve të Evropës dhe të botës që kanë instrumentet më të këqija për luftimin e terrorizmit"

Krimi masiv që ndodhi javën e kaluar në Norvegji, ka ngjallur kudo në botë idenë nëse do të ishte më mirë që të përforcohej vëzhgimi sekret nga ana e shtetit, i personave dhe grupeve që dyshohen se mund të përdorin dhunë. Me këtë rast bëhet peshimi në mes të asaj që është siguri publike dhe privatësi personale.

A duhet që, për të mbrojtur sigurinë të punohet në dëm të privatësisë? Rreth dilemave të tilla emisioni 10vor10 i sf1 mbrëmë ka kërkuar mendimin e autoriteteve kompetente në lëmin e të drejtës dhe të sigurisë.

Profesori i të drejtës penale dhe njëherësh deputet nacional, Daniel Jositsch thotë se të bësh vëzhgim të fshehur të personave në Zvicër është e vështirë, mungon baza ligjore për një punë më efikase të shërbimit informativ.

“Ne sot kemi një ligj federal për sigurinë e brendshme që duhet të rinovohet urgjentisht. Me këtë, Zvicra bën pjesë në mesin e shteteve që në gjithë Evropën madje edhe në gjithë botën, kanë instrumentet më të këqija për luftimin e terrorizmit”, ka thënë Jositsch.

Ndërsa ish shefi i shërbimit informativ të Zvicrës Peter Regli thotë se mbrojtësit e shtetit do të dëshironin që të vëzhgonin në mënyrë të fshehur edhe në internet dhe në hard disqe, për të zbuluar terroristët potencialë dhe atentatorët. Por ata, sipas Reglit, i kanë duart të lidhura nga ligji