Zhvillim

Zvicra mbetet e përkushtuar në Kosovë

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës i inkurajuan të hënën afaristët nga Zvicra që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë

Kosova ofron kushte ideale për investime si nga aspekti legjislativ, po ashtu edhe nga fuqia punëtore, eksporti, taksat administrative e doganore si dhe posedon një sistemi të sigurt bankar.

Këto vlerësime dolën nga një forum i organizuar nga Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministra e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Ambasada e Zvicrës në Prishtinë, Iniciative Ekonomik për Kosovën (ECIKS) dhe nga Agjencia për Promovimin e Investimeve (IPAK).

Zëvendëskryeministrja dhe njëherit ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, tha se Zvicra mbetet mbështetësi më i madh i sektorit privat, ndërsa investimet e huaja nga ky vend janë në rritje.

“Në vitin 2012 investimet e huaja nga Zvicra janë rritur për 30 për qind, duke u bërë vendi i tretë më i madh sa i përket investimeve në Kosovë. Prandaj është shumë me rëndësi se investimet e Zvicrës të ngritën në Kosovë”, tha ministrja Kusari-Lila, duke u shprehur e kënaqur se vazhdimësia e bashkëpunimit me Zvicrën po vazhdon.

Vazhdon bashkëpunimi ekonomik Kosovë-Zvicër

Si vazhdimësi e krijimit të lidhje të forta ekonomike Kosovë-Zvicër, zëvendëskryeministrja përmendi inaugurimin e odës ekonomikë Kosovë-Zvicër.

“Para dy javë isha në Bernë të Zvicrës në inaugurimin e odës ekonomike “Swiss Kosova”, një institut shumë i rëndësishëm për një lidhje që të forcohet vazhdimësia e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Zvicrës sa i përket biznesit”, tha ajo.

Ministra kosovare e Tregtisë kërkoi nga diaspora shqiptare në Zvicër që përveç remitencave që ua dërgojnë familjarëve, të bëhet edhe investitorë, sidomos në sektorët e ndryshëm të ekonomisë së mesme.

 Në këtë mënyrë, siç tha Kusari-Lila, ata do të ngritin edhe me shumë mirëqenien te të afërmit e tyre, duke u krijuar vende të reja pune. 

“Ne mundohemi të inkurajojmë diasporën tonë që ta shohin Kosovën si një vend ku mund të bëhen investime. Përveç se të dërgojnë para ata të bëjnë biznes. Me këtë rast ata mund t’i përfshijnë shokët apo të afërmit e tyre në biznese”, deklaroi Kusari -Lila.

Ajo i mbushi me energji afaristët në forum, duke iu thënë se javën e ardhshme në Qeveri do të prezantohet një Ligj për investime direkte nga jashtë. Ky Ligj, sipas zëvendëskryeministres, do t’i trajtojë investimet nga diaspora si investime nga jashtë, kështu që diaspora do të jetë e siguruar sikurse investitorët e huaj.

Ndërkaq sa i përket Zvicrës, ajo tha se Kosova ka marrëveshje për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve me Zvicrën, që shërben si garantues ligjor për çdo investitor nga vendi i tyre.

Mimoza-Kusari-Lila përmendi sektorët e energjisë dhe minierave, bujqësisë, procesimit të ushqimit, drurit dhe metaleve si dhe një mori sektorësh tjerë me potencial të lartë për investitorët nga jashtë.

Ndërsa ambasadorja zvicerane në Kosovë, Krystyna Marty Lang tha se Kosova ka një qasje mike ndaj bizneseve dhe se është duke shënuar progres në prodhim.

“Siç e dini Zvicra është një partner që qëndron për një kohë të gjatë me Kosovën, e ka njohur Kosovën si shtet në 2008-ën. Po ashtu jemi duke e përkrahur për zhvillimin, tranzicionin, ekonominë, për bizneset po ashtu edhe për shoqëritë demokratike”, tha ajo.

Zvicra, sipas saj, ka marrë iniciativa të ndryshme ta fuqizoj ngritjen ekonomike, punësimin, demokracinë, sundimin e ligjit, po ashtu edhe për infrastrukturën publike.

“Të gjitha këto fusha ku ne kemi punuar dhe do të vazhdojmë. Siç e dini Zvicra e ka një strategji zhvillimore 2013 – 2016, ku ne do të qëndrojmë në këto sektore të cilat i përmenda”, tha ajo, duke u shpreh se vendin që ajo e përfaqëson e përkrah fuqishëm Kosovën në zbutjen e papunësisë dhe përmirësimin e mëtejmë të ambientit për të bërë biznes.

Zvicra, siç tha më tej ajo, ka përkrahur edhe sektorin privat për 11 vite me radhë. “…kemi qenë shumë aktiv në sektorin e bujqësisë, sepse duke e zhvilluar sektorin privat, krijojmë vende të punës dhe po ashtu edhe të hyra të tjera dhe ky është një prioritet sa i përket bashkëpunimit”, tha ajo.

Ambasadorja helvetike i inkurajoi gjithashtu afaristët që vijnë nga shteti i saj, që të vijnë në Kosovë, sepse sipas, vendi më i ri në Evropë ofron kushtet të përshtatshme për biznes.

“Kosova ofron kushte të favorshme për investim dhe zhvillim….këtu e kemi popullatën e re dhe ka mundësi për të bërit biznes. Kështu që taksat janë të ulëta, po ashtu edhe pronësia edhe ligjet e reja të cilat do të vendosen apo do të aprovohen, do ta mbrojnë edhe më tepër investimin e juaj”, tha Lang.

Ajo e vlerësoi lartë flurimin e sotit, duke besuar se do të sjellë rezultate konkrete në investime dhe në uljen e papunësisë.

“Ne presim rezultate nga këto takime si dhe investime më direkt nga jashtë, po ashtu edhe nga vetë Zvicra”, deklaroi ambasadorja e Zvicrës në Kosovës, Krystyna Marty Lang.

Afaristi zviceran i befasuar me Kosovën 

Ndërkaq kryeshefi i Agjencisë për Promovimin e Investimeve (IPAK), Valdrin Lluka, prezantoi në aspektin teknik arsyet pse të investohet në Kosovë si dhe asistencën e agjencisë të cilën ai e drejton mund ta ofrojë për çdo investitor që sheh Kosovën si destinacion për të investuar.

Lluka dha informata të detajizuara, duke përfshirë nga fuqia punëtore, taksat në të ardhura, sistemi bankar, doganor, sistemin ligjor, marrëveshjet ndërkombëtare dhe rajonale të tregtisë, etj.

Mbi të gjitha Lluka tha se Kosova është tregu ideal ku mund të investohet dhe të zhvillohet biznesi. 

 “Kosova është pjesë e tregtisë së lirë me disa shtete, përfshitë këtu edhe CEFTA-n, ku gravitojnë disa shtete të rajonit me një GDP prej 200 miliardë eurosh. Preferenca që kemi me BE-në, na jep qasje të lirë të pakufizuar për eksport, që do të jetë një impuls shtesë për investitorët zviceran të vijnë këtu”, tha Lluka.

 Ndërkaq më interesant forumin me investitorët e huaj e bëri afaristi Christoph Frei, pronar i kompanisë “Rosconi AG”, i cili kishte ardhur nga Zvicra për të investuar në Kosovë. I motivuar nga një kolegë kosovar, ai tha se kishte ardhur në Gjakovë, pa pasur asnjë informacion për Kosovën.

 “Në Zvicër kosovarët nuk kanë ndonjë reputacion të mirë, prandaj edhe kam hezituar të vij. Mirëpo kur vjen në Kosovës atëherë krijon përshtypje krejt tjetër për këta njerëz të dashur e humanë”, tha ai, i cili aktualisht kishte 17 punëtorë në biznesit e tij, ndërsa po parashikonte ta zgjerojë kapacitetin në 25 punëtorë. 

 Kompania që Frei udhëheq merret me ndërtimin e mureve lëvizëse. Ai u shpreh shumë i kënaqur për investimin që ka bërë në Kosovë.

 Në forum kontribuoi edhe Vllaznim Xhiha, sipërmarrës në Kosovë, ndërsa për aspektin ligjor, për regjistrimin e bizneseve, kushtet ligjore dhe konsekuencat e mundshme foli avokati Artan  Qerkini. Ky i fundit tha se në Kosovë eksiton një bazë e mirë ligjore që garanton investimet e huaja. 

 Konferenca vazhdon edhe nesër me një ekskursion nëpër kompanitë ku kanë investuar afaristët nga Zvicra, në Gjakovë dhe në Gjilan.