Kosova

Zvicra mbështet sistemin shëndetësor në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Rifat Latifi, u takua sot me Ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly.

Në takim u diskutuan dhe shkëmbyen ide për mundësi të reja të bashkëpunimit bilateral në fushën e shëndetësisë ndërmjet dy vendeve, krahas projekteve aktuale të mbështetjes zvicerane për sistemin shëndetësor të Kosovës.

Me theks të veçantë u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në edukim, trajnim dhe programe të shkëmbimit të profesionistëve shëndetësor, dhe ofrimit të ndihmës zviceriane për trajnimin e specializantëve nga Kosova, transmeton Albinfo.ch.

Gjithashtu u diskutua edhe për mundësitë e ofrimit të përkrahjes zvicerane në aspektin e përmirësimeve infrastrukturore të institucioneve shëndetësore, me fokus në njërin nga spitalet e përgjithshme rajonale.

Zvicra ka kontribuar në përmirësimin e kualitetit të shërbimeve shëndetësore në Republikën e Kosovës që prej vitit 2013, duke realizuar projekte të mbështetjes që tejkalojnë shumën e 20 milionë eurove, para së gjithash në përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së kujdesit parësor shëndetësor.

Nga ana e saj Ambasadori Kolly shprehu gatishmërinë e tij për të kontribuar në thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve, bashkëpunimit dhe ndihmës në fushën e shëndetësisë.