Shkurt.ch

Zvicra kthen tamilët

Nga qershori i këtij viti, enti për migracion do të bëjë shqyrtimin e statusit të personave nga Sri Lanka, të pranuar përkohësisht

Gjendja në Sri Lanka është qetësuar dukshëm, ka vlerësuar sot Enti Federal për Migracion në një komunikatë shtypi. Për këtë arsye, azilkërkuesit tamilë të ardhur nga atje, të cilëve nuk u është njohur statusi i refugjatit, duhet të kthehen.

Duke filluar nga qershori i këtij viti, enti i përmendur do të bëjë shqyrtimin e statusit të personave nga Sri Lanka, të pranuar përkohësisht, me ç`rast do të shoshitë secilin rast veç e veç.

Kjo, për arsyen se jo të gjithë ata do të kthehen në Sri Lankë, shkruan nzz.ch. Një pjesë e tyre që vijnë nga regjione jo stabile, do të lejohen të qëndrojnë përkohësisht në Zvicër.

Po kështu Enti për Migracion reagon për gjendjen e mjerueshme të kushteve për azilkërkuesit në Greqi. Për këtë arsye, Zvicra nuk do t`i dërgojë më në Greqi azilkërkuesit të cilët kanë ardhur në Evropë duke shfrytëzuar territorin grek.