Lajme

Zvicra ka paguar 500 milionë franga për maska nga Kina

Zvicra ka blerë jashtë vendit maska ​​për më shumë se 560 milionë franga. 93 për qind e kësaj shume, ose mbi 500 milionë franga, kanë shkuar në Kinë

Gjatë muajve të fundit, Zvicra është mbuluar me të madhe me maska ​​mbrojtëse nga Kina. Këtë e tregon një vlerësim i të dhënave nga statistikat e tregtisë së jashtme që ka bërë agjensia e lajmeve AWP dhe që është shpërndarë edhe nga mediat zvicerane sot.

Nga marsi deri në qershor, Zvicra ka blerë jashtë vendit maska ​​mbrojtëse për më shumë se 560 milionë franga, transmeton albinfo.ch. 93 për qind e kësaj shume, ose mbi 500 milionë franga, kanë shkuar në Kinë.

Shpenzimet për mallra tekstili, përfshirë maskat mbrojtëse, në kushte normale në Zvicër janë rreth 12 milionë franga në muaj. Por në katër muajt e fundit,  vlera e tyre është rritur dymbëdhjetëfish në krahasim me një vit më parë.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se gjatë kësaj periudhe janë importuar mbi dymbëdhjetë herë më shumë maska ​​se zakonisht: informacionet në statistikat e tregtisë së jashtme tregojnë gjithashtu se çmimet për maska ​​janë rritur shumë në fillim të pandemisë, përcjell albinfo.ch.

Kështu, në prill të vitit 2020, për shembull, një kilogram pëlhurë ka kushtuar gjashtë herë më shumë sesa në prill të vitit 2019.