Kosova

Zvicra, një nga mbështetëset kryesore të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit Kosova

E përkushtuar për të rritur zhvillimin e turizmit në Kosovë, Zvicra mbështeti Panairin Ndërkombëtar të Turizmit Kosova – ngjarje unike, e cila promovon atraksionet e turizmit të Kosovës dhe rajonal, shkruan albinfo.ch.

Panairi Ndërkombëtar i Turizmit u mbajt për herë të dytë në Kosovë, dhe u përcjell me interesim jashtëzakonisht të madh. Aty u përfaqësuan ofertat turistike nga shumë qytete të Kosovës dhe rajoni nga operatorë të ndryshëm.

Panairi u organizua nga Unioni i Turizmit të Kosovës – UTK, nën patronatin e Komunës së Prishtinës, dhe u mbështet nga projekti #PPSE. Ky panair kishte për qëllim të promovojë turizmin dhe traditat e vendeve të ndryshme.

Përfaqësuesi nga Ambasada Zvicerane në Kosovë, Berat Thaqi, tha se ndikimi i turizmit në ekonomi është tejet i rëndësishëm, pasi gjeneron të hyra për bizneset e ndryshme private dhe qasje më të lehtë në treg të punës për gratë, të rinjtë dhe familjet që jetojnë në vise të thella malore.

Për këtë arsye, Zvicra mbështet zhvillimin e sektorit privat dhe ngjarje të tilla në Kosovë.