Shkurt.ch

Zvicra, e dyta në botë për nga numri i milionerëve

Zvicra zë vendin e dytë në botë për nga dendësia e milionerëve në vend. Para saj është vetëm Singapuri

Më së shumti milionerë në botë jetojnë, ashtu si dhe më parë, në SHBA, në Japoni dhe në Kinë, ka konstatuar Global Wealth Report 2011, një listë e realizuar nga firma këshilldhënëse “The Boston Consulting”, të cilës i referohet 20Minuten.ch.

Ndërkaq në Zvicër jetojnë 330.000 persona që mund të konsiderohen milionerë dhe nga ky aspekt Zvicra zë vendin e gjashtë në botë. Kjo i bie se çdo e dhjeta ekonomi familjare në këtë shtet ka së paku një milion dollarë.

Ndërsa Gjermania, që ka 10 herë më shumë banorë se Zvicra, numëron gjithsej 400.000 milionerë. Por si numër absolut, ajo radhitet një shkallë më lartë se Zvicra, pra në  vendin e pestë.

Në vendin e katërt është Britania e Madhe, me 570.000 milionerë. Kina, në vendin e tretë ka 1.1 milion milionerë ndërsa Japonia, e dyta, numëron 1.5 milionë njerëz që kanë së paku nga 1 milion dollarë. SHBA me 5.2 milionë milionerë është pa konkurrencë në vendin e parë të listës.

Sa i përket numrit të multimilionerëve ose atyre që kanë më shumë se nga 100 milionë dollarë,  Zvicra zë vendin e dhjetë në botë. Janë 352 ekonomi familjare të Zvicrës që kanë në pronësi mbi 100 milionë dollarë. Amerika, me 2700 persona të tillë zë vendin e parë.

Por, marrë sipas numrit të popullsisë, Zvicra megjithatë, me 10 ekonomi familjare në 100.000 sosh, që kanë nga 100 milionë dollarë,  zë vendin e dytë në botë edhe në këtë “kategori”. Menjëherë pas Arabisë Saudite, ku 18 në 100.000 ekonomi familjare kanë këtë shumë.

Si kritere për përpilimin e kësaj liste janë marrë parasysh vetëm vlera pasurore e kursimeve në banka si dhe paratë e arkave pensionale etj. Por janë përjashtuar pasuritë e patundshme si shtëpitë, tokat, makinat etj.