Lajme

Zvicra do të ketë një vend në Këshillin e BE-së për migracionin

Zvicra do të marrë pjesë në një “Këshill të ri Shengen”, të propozuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, qëllimi i të cilit është të koordinojë më mirë politikën e migracionit në Evropë, përcjell albinfo.ch.

Macron e prezantoi idenë në një takim të ministrave të brendshëm të Bashkimit Evropian (BE) në Lille të mërkurën dhe të enjten, ku ishte e pranishme edhe ministrja zvicerane e Drejtësisë, Karin Keller-Sutter. Trupi – i cili mund të mblidhet për herë të parë në mars – do të vepronte si një platformë për anëtarët e Shengenit për të reaguar shpejt ndaj krizave të tilla, si ajo në kufirin e BE-së me Bjellorusinë, ku mijëra emigrantë u përpoqën të kalonin në Poloni, Letoni dhe Lituani në fund të vitit të kaluar.

“Ky Këshill mund të bëhet fytyra e një Evrope të fortë, mbrojtëse, e cila ndihet rehat me kontrollin e kufijve dhe për rrjedhojë edhe fatin e saj”, tha Macron.

Zvicra, si një jo-anëtare e BE-së, por si një anëtare e zonës së udhëtimit Shengen, “natyrisht do të ishte pjesë [e këshillit]”, tha Karin Keller-Sutter. Në fillim të kësaj jave ajo mori një “përgjigje pozitive” nga Macron në lidhje me rolin zviceran, përcjell tutje albinfo.ch.