Shkurt.ch

Zvicra dhe BE këmbëngulin në qëndrimet e tyre

Kërkesa e BE-së që Zvicra ta përshtasë automatikisht juridiksionin e saj me atë të BE-së ka hasur në kundërshtim nga qeveria e Zvicrës

Pas kritikave që ditë më parë iu drejtuan Zvicrës nga Bashkimi Evropian, Zvicra ka mbrojtur qëndrimet e veta dhe kështu dialogu në mes tyre duket i bllokuar. Siç del nga një debat i mbajtur brenda Qeverisë Federale, Zvicra ngul këmbë në mbrojtje të pozicionit të saj.

Temë debati ka qenë raporti i një grupi punues për marrëdhëniet në mes të Zvicrës dhe BE-së, njofton Tages Anzeiger. Grupi i përmendur ka marrë si detyrë të studiojë mundësitë për zhvillimin e mëtejmë të marrëdhënieve në mes të dy palëve. Ai ka konstatuar se Zvicra dhe BE kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me atë se si duhet të duket raporti i ndërsjellë.

Kërkesa e BE-së që Zvicra ta përshtasë në mënyrë automatike juridiksionin e saj me atë të BE-së ka hasur në kundërshtim të plotë nga qeveria e Zvicrës. Kjo e fundit këmbëngul se Zvicra është duke i realizuar në mënyrë të drejtë marrëveshjet bilaterale me BE-në.