Lajme

Zvicra dërgon pajisje mjekësore kundër koronës, në Indonezi

Vëllimi i përgjithshëm i furnizimeve të ndihmës zvicerane jashtë vendit është mbi 15 milionë CHF

Të shtunën, Zvicra ka dërguar 600 pajisje (koncentratorë të oksigjenit) në Indonezi,  vend ky që është prekur keq nga pandemia Covid-19. Pajisjet vlejnë rreth një milion franga, raporton srf.ch

Kjo sasi përbën dorëzimin e gjashtë të furnizimeve të ndihmës kundër koronavirusit në Xhakartë.

Vëllimi i përgjithshëm i furnizimeve të ndihmës jashtë vendit është mbi 15 milionë CHF.

Ndihma humanitare federale është dhënë si përgjigje ndaj kërkesës së vendit aziatik për ndihmë, ka njoftuar të shtunën Departamenti Federal i Punëve të Jashtme, transmeton albinfo.ch.

Aeroplani zviceran i mallrave është ngritur të shtunën në Cyrih në drejtim të Xhakartës.

Përveç koncentratorëve të oksigjenit, në bord ka edhe pajisje mbrojtëse mjekësore, përkatësisht mbi 12,000 kostume mbrojtëse dhe më shumë se 45,000 maska. Në Xhakartë, autoritetet lokale do t`i marrin mallrat dhe do t`i shpërndajnë ato.

Ambasada e Zvicrës në Indonezi është duke punuar me autoritetet për të siguruar shpërndarje të drejtë, sipas parimeve humanitare.