Zhvillim
Zvicra, 35 milionë euro për menaxhimin e ujërave të zeza
Ambasadorja zvicerane, Krystyna Marty Lang tha se Zvicra është duke e festuar angazhimin e saj 15 vjeçar në Kosovë. Ajo tha se vetëm në ujë janë investuar 45 milionë franga
Qeveria e Zvicrës ka ndarë një shumë prej 35 milionë eurosh për menaxhimin e ujërave të zeza në rajonin e Gjakovës në Kosovë. Kjo konsiderohet shuma më e madhe për këtë vit që Qeveria e Zvicrës ka ndarë për menaxhimin e ujërave në Kosovë, ndërsa konsiderohet si ndihmë e jashtëzakonshme për qytetarët e Rrafshit të Dukagjinit.
Marrëveshja u nënshkrua sot (e enjte) në Ministrinë e Financave, nga ministri në ikje Besim Beqaj dhe ambasadorja e Konfederatës së Zvicrës në Kosovë, Krystyna Marty Lang.
Marrëveshja parashikon realizimin e projektit “Eliminimi i ujërave të zeza në jugperëndim të Kosovës – Faza III – në Gjakovë” dhe programin mbështetës për ujë dhe sanitari rurale, Faza V. Vlera e tërësishme e të dy projekteve, siç u tha në konferencën e përbashkët, është më shumë se 35 milionë euro.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes ministri Beqaj theksoi se Konfederata e Zvicrës ka përkrahur fuqishëm nga pas lufta sektorin e ujërave.
“Sot, nënshkruam dy marrëveshje bashkë me Qeverinë e Konfederatës Zvicerane që do të ndikojnë në përmirësimin e sektorit të ujit në Republikën e Kosovës. Qeveria e Konfederatës së Zvicrës me paratë e taksapaguesve zviceran ka mbështetur fuqishëm që nga paslufta sektorin e ujërave”, deklaroi Beqaj.
Ministri kosovar falënderoi ambasadoren Lang dhe popullin e Zvicrës për mbështetjen që e ka dëshmuar në realizimin e projekteve kyçe që përmirësojnë furnizimin me ujë të pijshëm dhe trajtimin e ujërave të zeza, por gjithashtu për mbështetjen e tyre të fuqishme për Qeverinë dhe popullin e Kosovës në shumë sektorë ekonomik dhe shoqëror.
“Ndërtimi i fabrikës së trajtimit të ujërave të zeza në Gjakovë do të mbështetet me 8 milionë euro nga Qeveria Zvicerane dhe 6 milionë euro donacion nga Qeveria Gjermane. Ku komuna e Gjakovës do të marr përsipër shpronësimet e nevojshme”, deklaroi ministri Beqaj.
Ai bëri të ditur se Qeveria e Kosovës është në bisedime me Qeverinë e Zvicrës dhe Qeverinë e Gjermanisë për të siguruar në vitin e ardhshëm projektin për ndërtimin e fabrikës për trajtimin e ujërave të zeza edhe për Pejën.
“Realizimi i projekteve në Prizren, Gjakovë dhe Pejë do të ndikoj ndjeshëm në përmirësimin e pellgut të Drinit të Bardhë”, tha Beqaj, sipas të cilit, projekti tjetër i vazhdueshëm është bashkëfinancimi për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijes në zonat rurale që do të ndikoj në përmirësimin e kushteve sanitare.
“Kjo fazë parashihet që të përmbyllet brenda katër viteve të ardhshme dhe është vazhdimësi e mbështetjes së Qeverisë Zvicerane e këtij sektori që nga përfundimi i luftës”, deklaroi ai.
Ambasadorja zvicerane në Prishtinë, Krystyna Marty Lang tha se Qeveria e Zvicrës është duke e festuar angazhimin e saj 15 vjeçar në Kosovë dhe theksoi se deri më tani Zvicra është e angazhuar në disa fusha, por në veçanti në sistemin e furnizimit me ujë dhe ujërave të zeza në Kosovë.
Vetëm në këtë drejtim, sipas saj, janë investuar mbi 45 milionë franga.
“Ne fuqimisht besojmë se qasja në ujë të pijshëm është një ndër të drejtat bazë të njeriut. Për këtë arsye ne do të vazhdojmë që edhe në të ardhmen të përkushtohemi në këtë sektor për shkak se është shumë me rëndësi që popullata te ketë ka qasje në ujë të pijshëm dhe gjithashtu është shumë e rëndësishme për Qeverinë e Zvicrës që të përkrahim Qeverinë e Kosovës në zhvillimin e këtyre projekteve”, tha ambasadorja Lang.
Ajo tha se është me rëndësi të kemi një sistem funksional të ujit të pijshëm, por edhe një sistem funksional të trajtimit të ujërave të zeza.
“Përpos faktit të zhvillimit ekonomik kjo ka rëndësi gjithashtu edhe për shëndetin e qytetarëve të Kosovës. Ne besojmë se sistemi i ri i trajtimit të ujërave të zeza në Gjakovë në mënyrë të ndjeshme do të përmirësojë jetën e qytetarëve të Gjakovës”, deklaroi ambasadorja Lang.
Ajo bëri të ditur se Qeveria e Zvicrës do të investojë në këtë projekt përafërsisht 8 milionë euro dhe se në realizimin e këtij projekti merr pjese edhe Qeveria e Kosovës dhe partnerë tjerë në investime.
“Mirëpo, ky sistem nuk do të funksionojë përderisa qytetarët nuk do t’i përgjigjen pagesave të shërbimeve të sistemit të ujësjellësit dhe ujërave të zeza”, tha ambasadorja Krystyna Marty Lang, duke iu bërë thirrje qytetarëve që të paguajnë ujin që e shfrytëzojnë.
Ajo gjithashtu të falënderoi edhe partnerët gjermanë, “pa ndihmën e të cilëve ky projekt nuk do të mund të realizohej”.
Të tjera nga Zhvillim
E-Diaspora
-
Ka mashtruar me baste sportive: Gjykata Federale konfirmon dëbimin e kosovarit Gjykata e Qarkut e kishte dënuar vetëm me burgim me kusht por ai ishte ankuar dhe...
-
Deputeti i Parlamentit të Konfederatës Zvicerane, Islam Alijaj pajiset me pasaportë të Kosovës
-
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”: “Ne nuk harrojmë!”
-
Rreth katër orë pritje në Merdarë për të dalë nga Kosova
-
Ka shkatërruar Ferrarin e tij, 43 muaj burg dhe 6 vjet dëbim për kosovarin
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Borë, shi, ftohtë dhe erëra të stuhishme Ditët e fundit kanë sjellë mot ekstrem në Zvicër. Ajo që filloi me rikthimin e borës...
-
Dy të vdekur në pistat e skive në Zvicër në fundjavë
-
Si do të ndikojë tek shoferët plani për të shkurtuar më shumë hapësira parkimi në qytetet zvicerane?
-
“House of Kosova” në Forumin Ekonomik Botëror 2025 në Davos
-
Pse mund të ndodhë t’u kontrollohen çantat në një supermarket zviceran?