Shkurt.ch

Zvicra, 25 milionë në vit për Birmaninë

Këto të holla do të përdoren para së gjithash për arsim profesional, për çminim dhe për përkujdesje mjekësore.

Vizita në Zvicër e shefes së opozitës birmaneze Aung San Suu Kyi është ndjekur me interesim të madh nga mediet e këtushme.

Mikpritësi i saj, ministri i jashtëm Didier Burkhalter në një konferencë të përbashkët shtypi me mysafiren nga Birmania ka thënë se Zvicra do të mbështesë Birmaninë me një program zhvillimor prej 25 milionë frangash në vit. Këto të holla do të përdoren para së gjithash për arsim profesional, për çminim dhe për përkujdesje mjekësore.

Burkhalter ka njoftuar gjithashtu se në muajin nëntor Zvicra do të hapë ambasadën e saj në Birmani. Ai ka shtuar se Zvicra pret që autoritetet e Birmanisë të lirojnë nga burgjet të gjithë të burgosurit politikë dhe të forcojnë demokracinë e të drejtat e njeriut.

Pas pritjes në nivelin më të lartë të cilën asaj ia ka rezervuar qeveria e Zvicrës, ish disidentja Kyi ka pësuar një alivanosje të lehtë dhe ka hequr dorë nga darka solemne e përgatitur për të.