Futboll

Zvicerani Challandes zyrtarisht përzgjedhës i Kosovës

Zvicerani 66-vjeçar, Bernard Challandes, ka marrë detyrën e përzgjedhësit të përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Në prezantimin e tij para gazetarëve, Challandes ka thënë se do të mundohet të krijojë ekip të bashkuar dhe se për të Kosova paraqet sfidë të madhe, shkruan Albinfo.ch.

“Faleminderit për besimin që ma keni dhënë. E njoh dëshirën dhe zjarrin e popullit të Kosovës për futbollin. Për mua është një sfidë e madhe. Kosova është i ri dhe ekipi është edhe më i ri. Duhet ta krijojmë një familje të re ekipore. Ajo që është më e rëndësishmja Kosova duhet të jetë më e bashkuar”, ka thënë Challandes.

“Duhet të krijohet një ekip i madh, ka shqiptarë kosovarë që luajnë jashtë shtetit dhe është detyrë që t’i ftojmë. Vetëm me një zgjidhje të mirë individuale do të arrijmë një ekip që duam. Sot nuk do të flas për kualifikimet, por vetëm krijimin e një ekip të mirë”, ka shtuar ai.

“Po e bëjmë këtë do të kemi mundësi të kualifikohemi”, ka thënë veç të tjerash ai.

Në të kaluarën, Challandes ka drejtuar shumë klube të njohura të Zvicrës deri sa ka qenë edhe trajner i Armenisë.

Së fundi ka qenë menaxher në klubin e Baselit dhe ka në pronësi shumë lojtarë.

Ai te Kosova zëvendëson Albert Bunjakin e larguar vitin e shkuar.

Challandes ndeshjen e pare do ta ketë në fund të muajit mars me Madagaskarin.