Integrimi

Zviceranet mësojnë të përgatisin gatime kosovare

„Ato gatuan pite dhe më premtuan se do të provojnë edhe në shtëpitë e tyre të gatuajnë këtë specialitet tonin“, thotë Lirije Malaj

Kursi i përgatitjes së gatimeve të kuzhinës kosovare ishte organizuar në Schönenwerd, Kantoni i Solothurnit. Me iniciativë të Mirjam Lenz Silva nga shoqata „Kulturpunkt“ në këtë kurs gatimi  janë përfshirë gratë zvicerane. Kanë qenë dhjetë gra të shoqatës Frauenverein të kishës në Schonennwerd. Ndërsa Lirije Mala nga shoqata “Kulturpunkt”  kishte pranuar ftesën me plot dëshirë për të treguar një pjesë të kulturës dhe traditës shqiptare në Kosovë.

Gratë zvicerane u treguan shumë të interesuara për gatimet shqiptare ndërsa në fillim Lirija ka prezantuar vendin e saj me pak fjalë.

Në këtë mbrëmje Lirija ka përgatitur një supë kosi me hudhër, së bashku me gratë, një tave me oriz dhe mish pule, sallat me lakër, një sallatë me perime të ndryshme , domate qepe, speca, djathë. Po ashtu është përgatitur edhe një pite me djath dhe spinaq që ishte diçka e re për gratë zvicerane. Gratë nga shoqata e nënave kanë mësuar se si përgatitet brumi i pites dhe ndarja e kuleqve.

„Ato gatuan pite dhe më premtuan se do të provojnë edhe në shtëpitë e tyre të gatuajnë këtë specialitet tonin“, thotë Lirije Malaj. Krejt në fund është përgatitur një ëmbëlsirë shumë e shijshme. Ato u ndanë shumë te kënaqura me këtë kurs gatimi. Në tavolinë të gjithë së bashku kanë provuar ushqimet kosovare. 

Zviceranët janë njoftuar edhe me produktet nga Kosova, si  birrën e Pejës dhe verën e Rahovecit, të cilat tashmë blihen edhe ne shitoret zvicerane. „Shpresoj të kemi lënë përshtypje të mirë  për  Kosovën dhe traditën tonë shqiptare“, thotë Lirije Mala.