Shkurt.ch

Zviceranët jetojnë gjatë dhe gëzojnë shëndet të mirë

Zviceranët mesatarisht jetojnë 82.2 vjet. Vetëm japonezët, të cilët arrijnë moshën 82.7 vjeçare jetojnë më gjatë se ata

Një studim i bërë nga OECD ka konstatuar se zviceranët jetojnë gjatë, kanë shprehi pune dhe tregojnë gatishmëri për ndihmë.

Sipas këtij studimi, zviceranët mesatarisht jetojnë 82.2 vjet. Vetëm japonezët, të cilët arrijnë moshën 82.7 vjeçare jetojnë më gjatë se ata.

Po ashtu, zviceranët bëjnë pjesë në mesin e popujve që japin më së shumti mjete për shëndetësi. 10.7% e brutoprodhimit vjetor të Zvicrës shkon për shëndetësi. Vetëm në SHBA dhe në Francë ndahen më shumë mjete për shëndetësi se sa në Zvicër.

Me shkallën e papunësisë 4.2% zviceranët janë të katërtit, pas Norvegjisë, Koresë dhe Holandës.

Studimi i përmendur ka ndjekur trendet sociale në 40 vende të ndryshme të botës. Në shumicën e kategorive, si të ardhurat, punësimi, cilësia e ambientit, Zvicra zë vend të lartë, ndërkohë që shkalla e korrupsionit është mjaft e ulët.

Nota të dobëta, sipas këtij studimi, Zvicra ka marrë vetëm për shkallën e pjesëmarrjes së qytetarëve të saj në zgjedhje. Në këtë segment, rezultatet më të mira i kanë arritur Belgjika, Luksemburgu dhe Australia.