Shkurt.ch

Zviceranët “e jashtëm” votojnë me internet

Është rasti i parë në Zvicër që votimi për zgjedhjet në nivel nacional të bëhet në mënyrë elektronike

Zviceranët me qëndrim jashtë vendit, të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet nacionale që mbahen këtë vjeshtë mund ta ushtrojnë në mënyrë elektronike, përmes internetit. Kjo mënyrë votimi aktualisht ofrohet në kantonet Aarau, Basel-Stadt, Graubünden dhe St. Gallen, të cilat kanë marrë lejen nga Qeveria federale për të mundësuar këtë ofertë. 

Kjo ofertë përbën njëherësh rastin e parë në Zvicër që votimi për zgjedhjet në nivel nacional të bëhet në mënyrë elektronike. Nga kjo pritet të përfitojnë në veçanti rreth 22 mijë zviceranë që jetojnë jashtë Zvicrës, shkruan Bieler Zeitung. Për shkaqet të pengesave juridike, kjo mënyrë votimi nuk është e mundur të bëhet nga të gjitha vendet e botës.

Edhe deri më tash ka pasur raste kur në Zvicër është votuar përmes internetit, por kjo ka ndodhur vetëm në votimet për iniciativat popullore dhe në referendume e jo në zgjedhje.

Kështu, në referendumin e fundit, të mbajtur në shkurt të këtij viti, shkalla e votimit elektronik në mesin e zviceranëve me qëndrim jashtë vendit ka qenë 14.4 për qind.