Shkurt.ch

Zvicër: Tri iniciativa paralele për kufizimin e numrit të të huajve

"Demokratët zviceranë" kërkojnë që numri i të huajve të ardhur në Zvicër të mos e kalojë numrin e zviceranëve që e lëshojnë Zvicrën

Pas SVP-së, edhe partia e vogël djathtiste “Schweizer Demokraten” do të nis grumbullimin e nënshkrimeve për iniciativën e saj për kufizimin e numrit të të huajve në Zvicër. Një iniciativë të ngjashme e ka ndërmarrë po ashtu edhe organizata Ecopop.

“Demokratët zviceranë” kanë vendosur si synim të iniciativës së tyre “që numri i të huajve të ardhur në Zvicër të mos e kalojë numrin e zviceranëve që e lëshojnë Zvicrën”.

Ndërsa Ecopop në iniciativën e saj për votim në nivel zviceran ka vendosur moton për ndalimin e mbipopullimit të Zvicrës.

Partia më e madhe e Zvicrës SVP (UDC) një ditë më parë kishte bërë publike nisjen e grumbullimit të nënshkrimeve për iniciativën e saj për kufizimin e imigrimit të të huajve në Zvicër.

Afati për grumbullimin e nënshkrimeve për iniciativën e SVP-së dhe të demokratëve zviceranë përfundon më 26 janar 2013. Gjatë kësaj kohe ato janë të detyruara të kenë së paku nga 100 mijë nënshkrime për të qenë iniciativat e tyre të plotfuqishme.

Ndërsa afati për Ecopop përfundon më 3 nëntor 2012