Lajme

Zvicër: Pagat e grave do të barazohen me ato të burrave, pas 46 vitesh

Në vitin 2018 dallimi ka qenë 11.5% në favor të burrave, në vitin 2016, 12 % ndërsa në vitin 2014, 12.5%

Një studim i strukturës së pagave, i realizuar nga Zyra Federale e Statistikave (BFS) konstaton se dallimi në mes të pagave të meshkujve dhe të femrave para disa vitesh kishte rënë për një të katërtën.

Por, megjithatë, jazi në mes të dy gjinive,  në këto 4-5 vitet e fundit është ngushtuar në mënyrë fare simbolike, transmeton albinfo.ch. Kështu, në vitin 2018 dallimi ka qenë 11.5% në favor të burrave, në vitin 2016, 12 % ndërsa në vitin 2014, 12.5%.

Dallim i është më i madh në sektorin privat, ku gratë, sipas studimit në fjalë, në 2018 kanë fituar 14.4 për qind më pak se burrat.

“Këto diferenca të pagave mes gjunive mund të shpjegohen pjesërisht me karakteristikat strukturore dhe aktivitetet e ndryshme, veçanërisht nga niveli i përgjegjësisë në vendin e punës ose sektorin ekonomik,” thuhet  në komunikatën e BFS.

Nëse zvogëlimi i dallimit vazhdon me këtë temp, atëherë barazia në mes të pagave që marrin burrat dhe gratë do të arrihet vetëm pas 46 vitesh.