Lajme

Zvicër: Numri i pranimeve në spital po bie – a është kjo arsye për optimizëm?

Në të njëjtën kohë, kanë rënë edhe shifrat ditore të infeksioneve të konfirmuara nga laboratori. Por a do të thotë kjo se gjendja po përmirësohet me të vërtetë?

Numrat zyrtarë të rasteve me Covid në Zvicër aktualisht po tregojnë për relaksim. Siç është thënë, masat e urdhëruara të premten nga Këshilli Federal erdhën për shumëkë por edhe për shkencëtarët, ishin shumë të vonuara, transmeton albinfo.ch. Ata kishin frikë nga mbingarkesa e pashmangshme e spitaleve që do të vinte, por situata tani është ndryshe.

Të dhënat nga Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG) tregojnë se numri ditor i shtrimeve në spitale dhe mesatarja shtatëditore ka rënë në mënyrë të vazhdueshme në dy javët e fundit. Mesatarja në 8 dhjetor ishte pak më pak se 112 shtrime në spitale me Covid-19, gjashtë ditë më vonë ajo zbriti 81 shtrime.

Në të njëjtën kohë, kanë rënë edhe shifrat ditore të infeksioneve të konfirmuara nga laboratori, shkruan 20minuten.ch. Më 6 dhjetor, BAG raportoi një rekord të ri infeksionesh me 12,772 raste. Që atëherë, mesatarja e shtatë ditëve ka rënë ngadalë. Të premten e kaluar, për shembull, BAG ka regjistruar 8,689 raste të reja ndërsa sot (e martë) “vetëm” 8167 raste.

Po ky zhvillim tregohet edhe nga numri i riprodhimit, i cili tregon se sa persona të tjerë do të infektojë mesatarisht një person i infektuar. Vlera ka rënë ngadalë që nga fundi i nëntorit dhe tashmë ajo është pak më poshtë një. Për krahasim: kur në fillim të qershorit 2021 u regjistruan më pak se 100 raste në ditë, numri i riprodhimeve ishte 0.62.

Krahasuar me dy javë më parë, situata në spitale të paktën është stabilizuar apo lehtësuar në njëfarë mase. Në atë kohë, disa spitale paralajmëronin për një mbingarkesë të afërt. Për shembull, spitalit universitar të Cyrihut i qe dashur të bllokonte disa shtretër të kujdesit intensiv për shkak të mungesës së personelit.

Por, si mund të klasifikohet ky zhvillim? Martin Bäumle, deputet nacional i GLP dhe studiues i atmosferës mendon se është shumë herët të bëhet një prognozë e qartë për zhvillimin epidemiologjik. Ai po monitoron nga afër situatën dhe po pret sinjalet e para për Omikron rreth Krishtlindjeve.

Megjithatë, ai dyshon se numri i rasteve për shkak të Omikronit mund të rritet ndjeshëm në dhjetor. “Nëse Omikroni nuk është shumë më ngjitës, dhe njëkohësisht është më pak agresiv se varianti Delta, ne mund ta kalojmë dimrin pa mbingarkuar shtretërit e kujdesit intensiv ose pa mbyllje (bllokime) masive.” Megjithatë, ngarkesa e spitaleve do të mbetet e lartë për më gjatë, thotë Bäumle.

Por Bäumle është më i shqetësuar për rregulloret e hyrjes për turistët që kthehen nga pushimet dhe skitarët, të cilat janë relaksuar që nga 20, 21 dhjetori. Bäumle nuk e kupton që ata lejohen të hyjnë në Zvicër pa një vaksinë përforcuese, test të dyfishtë ose karantinë – vendet e tjera po shtrëngohen vazhdimisht dhe Zvicra po tërheq turistë si në vitin 2020.

“Kjo është thjesht e papërgjegjshme!” Ai ka frikë se turistët në veçanti mund të sjellin më shumë ngarkesa virale në Zvicër në këtë mënyrë. “Këshilli Federal po kufizon ashpër popullsinë zvicerane dhe në të njëjtën kohë po lehtëson masivisht rregullat e hyrjes”.

Por ndryshe mendon lidhur me parashikimin e përmendur optimist Patrick Mathys, Shef i Seksionit të Menaxhimit të Krizave dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar në BAG.

Ka pasur vetëm një rënie të lehtë të shtrimeve në spital në ditët e fundit, thotë Mathys, transmeton albinfo.ch. “Për shkak të kohës së gjatë që pacientët kalojnë në njësinë e kujdesit intensiv, mund të pritet një rritje e pranimeve në spital gjatë ditëve në vijim. Më së voni kur të regjistrohen numra të lartë të rasteve për shkak të Omikronit, shtrimet në spital do të rriten përsëri”.