Tematike

Zvicër: Më shumë kompetenca për luftimin e rrezikut terrorist

Këto masa do të përdoren kur vlerësohet se nga një person i caktuar mund të vijë rreziku por nuk ka dëshmi të mjaftueshme për të iniciuar një procedurë penale ndaj tij

Gjatë viteve të fundit Zvicra e ka perforcuar hap pas hapi dhe në mënyrë konsekuente instrumentet e saj për luftimin e terrorizmit. Masat e reja policore do të plotësojnë këtë instrumentarium, thuhet në një komunikatë për media, të lëshuar nga autoritetet federale të Zvicrës.

Këto masa do të përdoren kur vlerësohet se nga një person i caktuar mund të vijë rreziku por nuk ka dëshmi të mjaftueshme për të iniciuar një procedurë penale ndaj tij, transmeton albinfo.ch. Masat e tilla duhet të aplikohen edhe pas lirimit nga burgu dhe, në kushte të caktuara, edhe gjatë zhvillimit të procedurës penale ndaj personave të përmendur.

Në këtë funksion, Këshilli Federal i ka dorëzuar Parlamentit një projektligj të ri mbi këtë problematikë. Në të janë parashikuar, veç tjerash, arresti shtëpiak, detyrimi i personave të kualifikuar si të rrezikshëm që të paraqiten në mënyrë të rregullt në polici ose edhe mundësia që personave në fjalë t`u ndalohet qëndrimi në vende të caktuara ose braktisja e atyre vendeve.

Por, Këshilli Federal ka hequr dorë nga strehimi i siguruar për personat e cilësuar si të rrezikshëm, përcjell albinfo.ch. Një strehim të tillë e kishin kërkuar drejtorët kantonalë të policisë dhe të drejtësisë por, sipas qeverisë së vendit, ky strehim nuk është konform me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Personat e rrezikshëm që kanë urdhër për largim nga Zvicra, duhet që në të gjitha rastet pa përjashtim të mbahen në burgun për dëbim. Sipas të drejtës ekzistuese, një gjë e tillë nuk është e siguruar. Kështu, do të krijohet një bazë e re për arrestim e cila do të vlejë në të gjitha rastet kur për një person konsiderohet se rrezikon sigurinë e brendshme ose të jashtme të Zvicrës.

Po ashtu, një person me vendim të plotfuqishëm për dëbim nga vendi, i cili nuk mund të dëbohet në vendin e tij të prejardhjes, me ligjin e ri nuk do të mund të fitojë statusin e të pranuarit të përkohshëm (Vizën F). Pa një status të tillë, personi në fjalë e humbet mundësinë për të gjetur punë dhe për të sjellë familjen në Zvicër.