Lajme

Zvicër: Mbi 13 mijë të infektuar dhe 242 të vdekur nga koronavirusi

BAG raporton për 235 viktima ndërsa mediat duke u mbështetur në të dhënat e kantoneve japin shifrën prej 242 viktimave të koronavirusit

Në Zvicër, deri më sot, e shtunë, 28 mars, janë regjistruar 13.221 raste të infektimit me Covid-19, që është 1052 më shumë se një ditë më parë. Këtë njoftim e ka dhënë Zyra Federale e Shëndetit Publik sot pasdite.

Deri më tani, 235 njerëz kanë vdekur në lidhje me Covid-19, thuhet në komunikatën e BAG. Baza për konstatimin e këtij numri është në shifrat që BAG ka marrë nga mjekët dhe laboratorët deri në mëngjesin e të shtunës, transmeton albinfo.ch mediat zvicerane. Prandaj, sipas BAG, të dhënat mund të ndryshojnë nga numri i rasteve të komunikuara në kantone.

Duhet thënë se ndryshimi në raportimin e shifrave të të vdekurve dhe të të infektuarve ka qenë në vazhdimësi një problem gjatë këtyre ditëve, shkruan albinfo.ch. Kështu, përderisa BAG raporton për 235 të vdekur, mediat duke u mbështetur në të dhënat e kantoneve japin shifrën prej 242 viktimave të koronavirusit.

Po kështu shifrën 242 e jep edhe worldmetters.info, një platformë që ndjek zhvillimet rreth koronavirusit në gjithë botën. Sidoqoftë, sot dallimi ështëm më i vogël se që ishte në ditët dhe javët e kaluara.

Nga të ndjerët, 141 ishin burra dhe 94 ishin gra. Viktima më e re ishte 32 vjeç, ndërsa më e moshuara, 100 vjeç.

Mesatarja (median) e moshës së atyre që kanë vdekur është 83 vjet. Kjo do të thotë që gjysma  janë nën moshën 83 vjeçare  dhe gjysma janë mbi moshën 83 vjeçare.

Incidenca më e lartë, përkatësisht rreth 485 të infektuar për 100,000 banorë, vazhdon të jetë në Kantonin e Ticinos.Deri më tani, rreth 106,000 njerëz në Zvicër janë testuar për virusin e ri; rreth çdo i teti i testuar, ka rezultuar pozitiv.