Lajme

Zvicër: Kush duhet të paguajë tani për testin PCR

Duke qenë se detyrimi i karantinës për personat e kontaktit u hoq nga e enjtja, qeveria zvicerane do të vazhdojë të mbulojë vetëm një numër të kufizuar testimesh.

Përpara se rregulli i ri të hynte në fuqi të mërkurën në mesnatë, qeveria pagoi për ekzaminimin PCR për personat e kontaktit – ata që jetojnë ose kishin kontakt “të rregullt dhe të ngushtë” me dikë që rezultoi pozitiv.

Sipas kuadrit të mëparshëm, kushdo që kishte kontakt të ngushtë me një person pozitiv ndaj Covid-it, duhej të izolohej për pesë ditë, përcjell albinfo.ch.

Por duke qenë se këto kontakte nuk kërkohen më për karantinë, testet e tyre PCR nuk mbulohen.

Megjithatë, sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik (FOPH), ka një sërë përjashtimesh.

Qeveria do të vazhdojë të paguajë kostot e ekzaminimit për grupe të caktuara njerëzish, duke përfshirë ata që jetojnë në ambiente të kujdesit për të moshuarit, pacientët e spitalit dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor, si dhe njerëzit që janë në një rrezik veçanërisht të lartë, siç janë ata që i nënshtrohen kimioterapisë.

Të gjithë të tjerët do të duhet të paguajnë vetë për analizat e tyre; çmimet për testet PCR variojnë nga 110 deri në 195 franga, në varësi të vendndodhjes së ekzaminimit dhe shpejtësisë së rezultateve.

Këshilli Federal njoftoi heqjen e karantinës së kontaktit më 2 shkurt, së bashku me përfundimin e detyrimit të punës në shtëpi.

Masa të tjera, si kërkesa për certifikatën Covid dhe kufizimet në takimet private, mund të hiqen nga 17 shkurti, me kusht që situata epidemiologjike e Zvicrës ta lejojë këtë.