Opinione
Zvicër: Iniciativa popullore «për vetëvendosje», rezultat i një frike të paarsyeshme?!
Përmes kësaj kërkohet që të shënohet shprehimisht në Kushtetutën zvicerane, që kjo e fundit të jetë gjithmonë në epërsi ndaj të gjitha të drejtave të tjera, posaçërisht ndaj konventave dhe traktateve ndërkombëtare të cilat Zvicra i nënshkruan me shtete të tjera për me i rregulluar marrëdhëniet e saja politike, ekonomike, shoqërore
Me origjinë nga një parti e së djathtës ekstreme dhe e titulluar zyrtarisht «E drejta zvicerane në vend të gjykatësve të huaj», kjo iniciativë popullore shpreh një shije të theksuar të aktorëve të saj në favor të epërsisë së Kushtetutës zvicerane përballë së drejtës ndërkombëtare.
Përmes kësaj kërkohet që të shënohet shprehimisht në Kushtetutën zvicerane, që kjo e fundit të jetë gjithmonë në epërsi ndaj të gjitha të drejtave të tjera, posaçërisht ndaj konventave dhe traktateve ndërkombëtare të cilat Zvicra i nënshkruan me shtete të tjera për me i rregulluar marrëdhëniet e saja politike, ekonomike, shoqërore, etj.
Më 24 nëntor 2018, populli duhet pra të shprehet lidhur me definimin e një rregulle parimore dhe të mirëfilltë juridike. Populli duhet të vendosë se, në të ardhmen, a do t’i jepet përparësi të drejtës kushtetuese zvicerane apo të drejtës ndërkombëtare. Ndryshe me thënë, parashtrohet pyetja se a do të vazhdojë edhe më tutje që të përkrahet konfirmimi i praktikës gjyqësore federale sipas së cilës aktet ndërkombëtare juridike janë të një vlere më të lartë se sa ato të brendshme zvicerane.
Në këndvështrimin hierarkik, iniciuesit kërkojnë që radhitja e peshës së akteve juridike të duket kësisoj ; në rend të parë të vihet Kushtetuta zvicerane, pastaj e drejta ndërkombëtare dhe së fundi ligjet tjera zvicerane.
Kush është pikënisja e kësaj ideje?
Sipas vlerësimeve të shumta, burim i iniciativës është gjykimi i rastit të një të riu shqiptar nga Maqedonia, i cili akuzohej për një vepër të rëndë penale dhe për të cilin, një instancë gjyqësore kantonale vendosi që ta dëbojë nga Zvicra, megjithëse ai jetonte në këtë shtet që nga fëmijëria, nuk kishte gati se askënd të familjes në vendin e vetë të origjinës dhe me ca vështirësi e fliste gjuhën shqipe.
Gjykata federale nuk e ndau të njëjtin mendim. Në kuadër të shqyrtimit të një ankese, ajo vlerësoi se, i riu në fjalë kishte kryer vërtetë një vepër të rëndë, por akti i tillë nuk e arsyetonte një penalizim aq të rëndë siç është ai i dëbimit të tij nga Zvicra.
Gjykata federale, nuk u bazua vetëm në praktikën e saj gjyqësore, por ajo iu referua edhe praktikave të Gjykatës evropiane, duke vendosur kështu që t’i japë përparësi juridike nenit 8 të Konventës evropiane (kushtuar rregullave mbi respektimin e jetës private dhe familjare) dhe, në njëfarë mënyre, ta zbresë në një nivel më të ulët vlerën juridike të një dispozite të Kushtetutës federale (neni 121 paragrafi 3). Përmes vendimit përkatës, kjo Gjykatë e theksoi atë se një instrument juridik ndërkombëtarë, siç është Konventa, mbanë epërsi në krahasim me të drejtën kushtetuese.
Çka nënkupton paragrafi 3 i nenit 121 të Kushtetutës zvicerane?
Përkujtojmë se në vitin 2010, populli dhe kantonet zvicerane e miratuan një iniciativë që kishte të bëj me dëbimin e kriminelëve të huaj. Teksti i iniciativës përkatëse u transformua në një rregull kushtetuese; një paragrafë për këtë çështje iu shtua nenit 121 të Kushtetutës federale.
Ata që pritnin shumë nga kjo dispozitë, duket se e harruan faktin se instancat gjyqësore zvicerane, gjatë proceseve vendimmarrëse, nuk mund të kufizohen vetëm në analizimin e një rregulle kushtetuese zvicerane, por duhet të mbajnë llogari edhe për parimet që i hasim në Konventën evropiane. Për shembullin e përmendur të dëbimit, ishte pikërisht ky reflektim juridik ai i cili i mundësoi Gjykatës federale që të shmangë një vendim që konsiderohej i një ashpërsie të tepruar.
Çka mendojnë iniciuesit?
Disa qarqe e interpretuan këtë vendim të Gjykatës federale si një refuzim për jetësimin e iniciativës për dëbimin e kriminelëve të huaj. Kësaj duhet shtuar edhe njëlloj akumulimi i revoltës së shprehur tek kritikuesit që nuk i shohin me sy të mirë edhe disa vendime të mëhershme të Gjykatës evropiane.
Përmes vizioneve të tyre, mbrojtësit e iniciativës « për vetëvendosje » nuk i kursejnë kritikat nga më të ndryshmet, që shkojnë posaçërisht në adresë të Konventës dhe gjykatës evropiane, duke i pasur në shënjestër edhe instrumentet tjera juridike të së drejtës ndërkombëtare të ratifikuara nga Zvicra. Më së shpeshti dëgjohen thëniet « Gjykata evropiane i mbron kriminelët e huaj, «ajo i mbron keqpërdoruesit e sistemit tonë », « Konventa aplikohet vetëm në dëm të Zvicrës e në dobi të të huajve», etj. Përveç tjerash, iniciuesit janë të mendimit se e drejta ndërkombëtare parqet një pengesë për aplikimin konkret të vendimeve të popullit.
Në realitet, çfarë pengese paraqet Konventa evropiane?
Është dëshmuar qartë se Konventa evropiane simbolizon një instrument mbrojtës plotësues i të drejtave themelore të njeriut. Me dinamikën aktuale të disa shteteve, siç duket ky instrument juridik e mban tepër e më tepër rolin e rregullatorit apo mbikëqyrësit të disa proceseve të padrejta në disa shtete.
Me siguri se Zvicra është shumë më e kursyer se sa shumë shtete të tjera. Nëse e marrim shembullin e periudhës prej vitit 1974 deri 2014, nga 6000 ankesa që i janë drejtuar Gjykatës evropiane dhe që vijnë nga Zvicra, vetëm 1,5 % apo për 94 raste u vlerësua se ky shtet ka bërë shkelja të drejtave të qytetarëve të saj.
Kësisoj, në rrjetet e ekspertëve evropianë mbetet enigmatike arsyeja e ndërmarrjes së një hapi të tillë në Zvicër, kur dihet sidomos fakti se nuk është Zvicra ajo e cila do të kishte nevojë të vuajë nga pasojat e vendimeve të Gjykatës evropiane! Telashet më të mëdha i hasim sidomos në shtete të tjera.
Nëse iniciativa kalon, kush do të ishin pasojat ?
Dalja nga Konventa evropiane dhe prekja e dëmshme e imazhit të shtetit zviceran, nuk do të vonin! Në mes tjerash, llogaria e juristëve thotë se nëse Konventa evropiane nuk do të bënte pjesë integruese në rregullat zvicerane, kjo do të nënkuptonte se Gjykata federale nuk do të ketë të drejtë dhe as për detyrë që ta analizojë përputhshmërinë e disa vendimeve me rregullat e së drejtës ndërkombëtare.
Humbet pra një instrument i vyeshëm dhe plotësues për një mbrojtje më solide juridike të interesave legjitime të qytetarëve, qoftë të shtetasve zviceran, qoftë të shtetasve të huaj që jetojnë në këtë vend.
Neuchâtel, më 28 tetor 2018
Të ngjashme
Opinione tjera
E-Diaspora
-
“Kërcimi i Tropojës” shpallet zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO Lajm i jashtëzakonshëm për trashëgiminë kulturore shqiptare (Video) ...
-
Vajzat shqiptare nga Haraçina “sundojnë” Belgjikën
-
Gashi: Diaspora – një urë lidhëse për zhvillimin ekonomik të Kosovës
-
Presidenti Bajram Begaj vizitoi shkollën shqipe në Bolonjë, përgëzon shqiptarët për ruajtjen e identitetit
-
Frankfurt: Agnesa Kolica, fituese e “Çmimit për Integrim”
Jeta në Zvicër
-
Sasia e borës që bie në Alpe është ulur me një të tretën në një shekull Reshjet e borës në Alpe ranë në mënyrë dramatike midis viteve 1920 dhe 2020, sipas një...
-
Uji i rubinetit nuk është plotësisht transparent në Zvicrën frëngjishtfolëse
-
Qyteti i Cyrihut përballet me kosto shtesë milionëshe
-
Ushtria zvicerane merr 500 milionë CHF financim shtesë
-
Gjermania lëviz për ta bërë jetën më të lirë për blerësit nga Zvicra