Lajme

Zvicër: Hapen pishinat në qytete, por me numër të kufizuar vizitorësh

Do të ketë ende kufizime për numrin e vizitorëve në të gjitha pishinat, si ato të mbuluara ashtu dhe në ato nën qiell të hapur

Në Cyrih dhe Bernë, këtë fundjavë, ashtu siç ishte paralajmëruar, do të hapet sezoni i larjes në pishina për vitin 2020. Por, siç njoftohet, do të ketë ende kufizime për numrin e vizitorëve në të gjitha pishinat, si ato të mbuluara ashtu dhe në ato nën qiell të hapur, shkruan srf.ch.

Sidoqoftë, moti jo i mirë, me rreshje shiu që ka filluar këto ditë, nuk premton ndonjë atmosferë të përshtatshme, sidomos për pishinat e hapura.

Në qytetin e Cyrihut e gjithë infrastruktura e pishinave të mbuluara dhe të hapura mund të përdoret përsëri, duke filluar nga e shtuna, raportohet nga Zyra e Sporteve në Cyrih, transmeton albinfo.ch. Kapaciteti është rritur në pishina të mbuluara. Ndërsa pishinat në natyrë, si Allenmoos dhe lido Mythenquai, tani do të jenë të hapura për 4,000 njerëz secila.

Pishinat e  mbuluara dhe të zbuluara do të hapen edhe në Bernë, gjithashtu  me kufizime në numrin e vizitorëve, përcjell albinfo.ch. Si shembull për këtë, pishina e njohur në Marzili, do të mund të pranojë një numër prej 3.500 personash.