Lajme

Zvicër: Dy të akuzuar për terrorizëm islamik, njëri prej tyre nga Maqedonia

Shtetasi i Maqedonisë akuzohet se ka bërë rekrutimin e mbështetësve të IS-it, ka shpërndarë materiale propagandistike

Prokuroria Federale e Zvicrës ka ngritur akuzë kundër dy personave të dyshuar si mbështetës të ushtrisë terroriste IS në Siri.

I akuzuari kryesor është një person me shtetësi të dyfishtë: zvicerane dhe italiane, me banim në Winterthur, shkruan srf.ch.

Ai, i njohur me emrin Sandro, në vitin 2013 ka qenë njëri ndër të parët nga rrethi i xhamisë “Al Nur” të Winterthurit, që ka udhëtuar për në Siri, në zonën  e sunduar nga IS-i, transmeton albinfo.ch. Personi në fjalë konsiderohet si figura qendrore e skenës salafiste të Winterthurit dhe akuzohet se ka motivuar shumë veta për t`iu bashkuar IS-it në Siri.

I akuzuari tjetër është një person me shtetësi të dyfishtë zvicerane-maqedonase, i cili banonte në Frauenfeld, Kantoni Thurgau. Ai ishte ndaluar nga autoritetet e Maqedonisë në rrugën që kishte marrë drejt Sirisë.

Edhe ky akuzohet se ka bërë rekrutimin e mbështetësve të IS-it, ka shpërndarë materiale propagandistike dhe se ka poseduar pamje nga skena të dhunshme.