Lajme

Zvicër, 3200 punëtorë mbesin pa punë

Në inxhinierinë zvicerane dhe industritë e metaleve, 3200 vende pune do të reduktohen për shkak të virusit korona.

Kriza e koronës ka goditur rëndë industrinë zvicerane. Porositë, shitjet dhe eksportet u shembën në tremujorin e dytë, 3200 punëtorë kanë mbetur pa vendet e tyre të punës, përcjell Albinfo.ch.

Shifrat tremujore të publikuara nga Shoqata e industrisë së inxhinierisë mekanike zvicerane, inxhinierisë elektrike dhe metaleve “Swismem” paraqesin një pamje të zymtë të situatës ekonomike: makineria, industritë elektrike dhe metalet shënuan një rënie masive në tremujorin e dytë të vitit 2020.

Kjo vlen për mungesën e porosive, si dhe për mungesën e shitjeve. Industria e rëndë bëri 19.5 për qind më pak porosi dhe 19.7 për qind më pak shitje në tremujorin e fundit. Përveç kësaj, pati një rënie të eksporteve prej 24.6 për qind.

“Swissmem” nuk sheh ndonjë përmirësim as për të ardhmen: “Ne kemi frikë se do të ketë reduktime të vendeve të punës në dymbëdhjetë muajt e ardhshëm,” shkroi shoqata në një njoftim për shtyp. Në tremujorin e dytë të vitit 2020, 319,600 njerëz ishin ende të punësuar në këtë industri. Kjo është tashmë 3200 njerëz më pak se në tremujorin e parë të vitit 2020.