Kosova
“Zgjerimi”, një roman mbi raportet e ndërlikuara mes Shqipërisë dhe BE-së
Menasse kundërshton konstatimin se romani i tij është satirë. “Nuk ka satirë në këtë libër. Nëse realiteti duket satirik, problemi është me realitetin”
Shkrimtari i njohur austriak, fitues çmimesh të larta letrare në hapësirën kulturore gjermane, Robert Menasse ka ngjallur së fundi edhe kurreshtjen e publikut shqiptar. Romani i tij “Zgjerimi”, i cili flet për aktualitetin politik në raportet Shqipëri – BE, është përkthyer tashmë edhe në gjuhën shqipe dhe autori ka bërë ditë më parë prezantimin e tij në Tiranë ndërsa sot, këtë do ta bëjë edhe në Prishtinë.
Gazeta e njohur gjermane e Berlinit “TAZ” ka shkruar një artikull mbi promovimin e bërë në Tiranë dhe keqkuptimet e vogla të autorit me mënyrën si është kuptuar domani.
albinfo.ch sjell artikullin, e pak shkurtime.
Shqipëria dhe BE: Kjo u diskutua në prezantimin e botimit shqip të romanit të Robert Menasse “Zgjerimi” (“Die Erweiterung”) në Tiranë.
Robert Menasse është pothuajse i indinjuar: romani i tij “Zgjerimi” po konsiderohet si një satirë? Pra, ai libër që përshkruan në mënyrë drastike dhe të hidhur durimin e Shqipërisë në përpjekjet e saj për anëtarësim në BE, mallin, zhgënjimet e shumta? Kur u botua në vitin 2022, u vlerësua nga kritika letrare si një “pamje magjepsëse e brendshme e dinamikës politike të skemave cinikë midis Brukselit, Varshavës, Tiranës dhe Vjenës”.
Pse pra satirë, prej nga ekzagjerimi?: Menasse e kundërshtoi ashpër këtë konstatim kur u ndodh në Tiranë në fundjavën që shkoi për të prezantuar përkthimin shqip të veprës së tij nën titullin “Zgjerimi”.
Në një intervistë për taz, ai thotë: “Nuk ka satirë në libër. Nëse realiteti duket satirik, problemi është me realitetin”.
Brenda realitetit aktual është fakti se BE ka hapur negociatat zyrtare me Shqipërinë për anëtarësimin e saj në BE. Por a nuk është ky vetëm një aspekt tjetër i taktikave të ngecjes prej vitesh? Në libër, Menasse përshkruan logjikën e elitave politike evropiane si më poshtë: “Premtimi nuk është i vulosur, por i deklaruar. E gjitha është vetëm një çështje formulimi”.
Në Tiranë, Menasse ankohet se si bëhet politika nga lart, kur për shembull Ursula von der Leyen thotë se Shqipëria e ka bërë punën e saj. A do të thotë kjo se Shqipëria është nxënësja dhe von der Leyen mësuesja? Dhe Plani B i Tiranës nuk përshkruhet vetëm në libër, ai kërcënon edhe në realitet: është fjala për një bashkëpunim më të ngushtë me Kinën.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, italiani Silvio Gonzato, siguroi në prezantimin e librit mbrëmjen e së shtunës në Shtëpinë “Europa” në Tiranë se paralajmërimet e Menasse ishin pritur mirë. Ai e ka lexuar librin në gjermanisht, i cili në thelb ishte “i çuditshëm” dhe “pak i lodhshëm” për një roman, pavarësisht nga fakti se ai e njeh mirë gjermanishten, përcjell albinfo.ch. Por në këtë rast ishte një “përvojë vërtet e këndshme dhe frymëzuese”: Menasse ka arritur që në mënyrë të admirueshme të kombinonte realitetin dhe fiktiven. “Pavarësisht kontradiktave tona, proceseve tona ndonjëherë të pakuptueshme”, Bashkimi Evropian do të mbajë përfundimisht premtimet e tij dhe “në një moment” do të anëtarësohet edhe Shqipëria.
Jetoi në Tiranë për një vit e gjysmë
Është një rastësi e bukur që Menasse e ka vënë pikërisht Shqipërinë në qendër të romanit të tij: “Ndoshta si vjenez, aty ku `siç dihet” fillon Ballkani, jam veçanërisht i paracaktuar të ndjej empati këtu”, thotë ai. Kishte udhëtuar në gjithë rajonin, në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe në Shqipëri. Dhe më pas ai ngeci në Tiranë, ku mori një apartament për gjashtë muaj në vitin 2019.
Ai ishte magjepsur edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili ishte jo vetëm politikan, por edhe artist, i vetmi burrë shteti në Evropë, me poetë në stafin e tij këshillues. Edhe pse Edi Rama nganjëherë shfaqet i tërbuar dhe i çrregullt në romanin “Zgjerimi”, Menasse ka një mendim të lartë për këtë “politikan të pazakontë, origjinal”. Ai shton në mënyrë kritike se e konsideron “çmenduri të plotë” marrëveshjen për refugjatët, të lidhur nga Edi Rama dhe Giorgia Meloni. Dhe: “Njerëzit më thonë gjithashtu se qeveria Edi Rama nuk mund të fshehë tashmë shenjat e qarta të korrupsionit (të saj)”.
Fakti që “Zgjerimi” tashmë është i disponueshëm në një botim shqip, e bën atë krenar, thotë Menasse. Dhe se lexuesit shqiptarë e kanë konfirmuar se ai nuk kishte bërë “asnjë gabim të madh”, tranmseton albinfo.ch. Në fund të fundit, shqiptarët nuk janë “disa krijesa ekzotike”: “Pasuria e Evropës qëndron në diversitetin e saj”.
Ndjenja, dëshira, shpresa e përkatësisë në Evropë: ekziston në Shqipëri prej shumë kohësh. Në vitin 1962, pak më shumë se një vit pas ndarjes së diktatorit Enver Hoxha me Bashkimin Sovjetik, shërbimi postar shqiptar kishte emetuar një seri pullash me motive evropiane. Në korrik të vitit 1990, mbi 3000 persona patën pushtuar ambasadën gjermane në Tiranë dhe në gusht 1991 më shumë se 10000 shqiptarë ishin larguar me anijen “Vlora” përtej Adriatikut për në Bari.
Një periudhë e shkurtër entuziazmi
Albanologu nga Munihu, Florian Kienzle, kujton vitet 1990, kur ai jetonte për vite në Tiranë si adoleshent, si djali i një diplomati gjermanoperëndimor, dhe “mungesën e lidhjes mes Shqipërisë dhe pjesës tjetër të Europës” në atë kohë. Entuziazmi i shkurtër për hapjen e Shqipërisë u pasua shpejt nga një reagim mbrojtës: “Njerëzit në Shqipëri atëherë nuk kishin ndjenjën se i përkisnin Evropës dhe ishte pjesa tjetër e kontinentit që i bëri ata të ndiheshin ashtu”.
Pas romanit “Kryeqyteti” që bën fjalë për qendrën e fuqisë së BE-së, Brukselin, në vitin 2017, romani “Zgjerimi” në vitin 2022 ishte vëllimi i dytë i konceptit të romanit evropian të Menasse. Pjesa e tretë është në përgatitje: Aktualisht, austriaku Menasse është në kërkim të një banese në Hungari.
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve