Maqedonia

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, sa vende siguruan shqiptarët në Parlament

Dje, më 8 maj, Maqedonia e Veriut mbajti zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, në të cilat të drejtë vote kishin 1.8 milionë qytetarë.

Kandidatja e partisë opozitare, Gordana Silanovska-Davkova, shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale, teksa kundërshtari i saj, Stevo Pendarovski, pranoi humbjen.

Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Davkova ka fituar mbi 65 për qind të votave, ndërkaq Pendarovski ka arritur të marrë rreth 30 për qind të votave, përcjell albinfo.ch.

VMRO-ja po ashtu po prin në zgjedhjet parlamentare, që po ashtu u mbajtën të mërkurën.

Në bazë të numrimit të deritanishëm të votave, VMRO del të jetë partia e parë me 42.75% e cila pritet të ketë 59 mandate në Kuvend.

E dyta pritet të jetë koalicioni Fronti Evropian me 14.42%, e cila pritet të ketë 19 ulëse në Kuvend.

Pas saj është koalicioni VLEN me 11.38% dhe pritet të ketë 13 ulëse në Kuvend.

LSDM, deri më tani ka 14.67% dhe pritet të ketë 18 ulëse në Kuvend.

Në një konferencë për mediat lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet parlamentare, të cilat i ka përshkruar si një hap drejt standardeve demokratike dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Faleminderit të gjithë qytetarët që morrën pjesë në këtë proces zgjedhor, janë zgjedhje të cilat kaluan në një standart demokratik, i cili duhet akoma që të përparohet, sespe jemi në prag të anëtarsimit në BE. Dua të falënderoj të gjithë votuesit e Frontit dhe të gjithë shefat e shtabeve të frontit, që kanë bërë punën më të skëlqyshme që ne të dalim fitimtar dhe krenar.

Të gjithë këta aktivista na kanë bërë krenarë, sepse jemi forca e dytë politike Fronti Europian me një dallim me oponentit e VMRO-së, e cila e ka ndihmuar shumë VLEN-in ku dallimi është mbi 30 mij vota.

Do të thotë që qytetarët, shqiptarët, turqit, boshnjakët, romët, të cilët kanë vepruar në kaudër të Frontit, janë alternativa e vetme për integrimin e vendit në BE.

Ne si Front nga ky cikël dalim me 19 mandate, sipas përllogaritjeve që kanë bërë ekipet e punës, ka mundësi të lëvizet tek mandati i 20.

Edhe ata të cilët kanë votuar oponentët ne jemi përfaqësues të të gjithë atyre që kanë votuar sepse kjo është rregull e demokracisë, ne jemi përfaqësuesit legal dhe legjitim, dhe legjitimitetin na e kanë dhënë qytetarët shumica e shqiptarëve dhe komunitete te të vogla të cilët i falenderojmë, dhe është hapi i parë drejt stazave të misionit për drejtimin e vendit tonë në BE.

Sot shteti ynë ka nevojë për stabilitet, dhe paqe, sundim të ligjit dhe fillim të negociatave dhe hapjen e kapitullit të parë dhe mbajtjen e mbledhjeve ndërqeveritare për anëtarsimin e vendit në BE.

Ne mbetemi front i fortë i anëtarsimit në BE, andaj do të doja t’i falenderoj edhe një her të gjithë votuesit dhe familjet e tyre dhe aktivistat për punën dhe kontributin në këtë proces zgjedhor”, tha Ahmeti.

Ndërkohë, lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, në fjalimin e tij tha se LSDM-së i është dhënë një goditje e rëndë nga qytetarët, anëtarësia dhe simpatizantët e partisë.

Kovaçevski bëri thirrje për analizë të menjëhershme të partisë dhe mbajtjen e kongresit raportues me qëllim të konsolidimit të plotë të gjithë partisë.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, dalja në zgjedhjet parlamentare ishte 53.15 për qind, ndërsa qytetarët votuan për 17 parti dhe koalicione, të cilat garonin për deputetë të Parlamentit të ri prej 120 ulëseve.

Beteja kryesore u zhvillua mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së në kampin maqedonas, ndërsa në atë shqiptar mes Frontit Evropian, të kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe koalicionit opozitar VLEN.