E-Diaspora

Zgjedhjet lokale në Vaud: Dhjetëra shqiptarë, në garë

Në zgjedhjet për asambletë komunale në kantonin Vaud, që mbahen më 28 shkurt 2016, garojnë nëpër parti të ndryshme politike zvicerane me dhjetëra kandidatë shqiptarë. Ky numër është dyfish më i madh në krahasim me zgjedhjet e para katër vjetëve.

Zgjedhjet mbahen në 375 komuna të kantonit Vaud, albinfo.ch ka hasur në emra shqiptarësh në listat zgjedhore gati në secilën komunë të këtij kantoni.
samedi 3 octobre 2015 ARC Jean-Bernard Sieber

Musa Kamenica, aktivist i njohur nga Lozana në politikën zvicerane dhe magjistër i shkencave politike me Partinë Social Demokrate i ka mësyrë sërish asamblesë së komunës së Llozanës. Sipas Kamenicës, suksesi i kandidatëve shqiptarë në këto zgjedhje varet nga madhësia e komunave në të cilën konkurrojnë. „Në komuna me më pak numër të banorëve, gjasat e kandidatëve shqiptarë janë shumë më të mëdha se sa në qytete të mëdha. Në fakt, angazhimi i kandidatit brenda partisë dhe implikimi i kandidatit në aktivitete shoqërore të ndryshme në komunën ku ai jeton u mundëson qytetarëve të asaj komune të kenë njohuri më të shumta e më të shpejta rreth kandidatit që ata e votojnë“, thotë politikani shqiptar nga Lozana.

Ai bazohet në zgjedhjet e kaluara, ku në komunat përreth qytetit të Lozanës, falë aktivitetit të tyre politik dhe shoqëror janë zgjedhur dhjetëra asamblistë me prejardhje shqiptare. Kandidati mjaft serioz i PS-së, Musa Kamenica, thotë se nuk do ta ketë lehtë edhe në këtë garë për një ulëse në Lozanë. „Beteja për një vend në Asamblenë Komunale të Lozanës është shumë më e vështirë për shkak të numrit jashtëzakonisht të madh të kandidatëve dhe për shkak të kompleksitetit të temave në të cilat debatohet lidhur me menaxhimin e qytetit. Edhe pse kandidati mund të ketë bërë një angazhim të rëndësishëm brenda partisë, një rol të rëndësishëm luan edhe rrjeti që ka kandidati në atë qytet dhe fuqia e mobilizimit të atij rrjeti njerëzish. Duke marrë në konsideratë këta tre parametra, unë jam optimist që partia me të cilën kandidoj do të dalë fitues i këtyre zgjedhjeve dhe pres po ashtu suksese të kandidaturës sime“, thotë mes tjerash në një bashkëbisedim me albinfo.ch Kamenica.

IMG_7521IMG_7520  IMG_7519
Njëjtë mendon edhe Naser Iseni, i cili kandidon në një komunë më të vogël të kantonit Ecublens. N. Iseni, me profesion mekanik, thotë se nëse mobilizohet komuniteti shqiptar, gjasat për zgjedhjen e tyre janë të mëdha. Në këtë komunë, me 13 mijë banorë, jozyrtarisht thuhet të jetojnë rreth 700 banorë shqiptarë.

Bashkë me Naser Isenin në garë për Asamblenë Komunale të Ecublens me Partinë Socialiste (SP) figurojnë edhe Arianda Zeka (frizere dhe mësuese, me prejardhje nga Rahoveci,) dhe Murat Ademi (pronar i një resoranti, nga Ferizaj) nga e njëjta parti. Ecublens është qyteti i 10-të i kantonit Vaud. Më herët ishte konsideruar si fshat, ndërsa tash ka marrë primatin e qytetit me 1 miliard franga buxhet.

Zgjedhjet lokale në Vaud këtë vit janë më specifike në krahasim me zgjedhjet e para katër vjetëve. 28 shkurti, përpos që është një datë e rëndësishme për zgjedhjet në nivel komunal, ka të bëjë edhe me një votim lidhur me iniciativën “Për dëbimin efektiv të kriminelëve të huaj”. Kjo iniciativë kërkon që çdo i huaj që ka bërë një vepër penale, sado të jetë e vogël, automatikisht të dëbohet nga Zvicra.

Kandidati shqiptar, Musa Kamenica, thotë se ky ligj bie ndesh me demokracinë zvicerane dhe me të drejtat fundamentale të njeriut. „Është një ligj i rrezikshëm që dëmton imazhin e shtetit të Zvicrës, prandaj gjatë kësaj fushate elektorale është duke u bërë një punë jashtëzakonisht e madhe e partisë sonë në favor të refuzimit të kësaj iniciative diskredituese për komunitetin e huaj që jeton dhe vepron në këtë vend“, thekson Kamenica. Zgjedhjet komunale kanë një rëndësi të veçantë, ngase temat me të cilën debatohen kanë të bëjnë me hallet e përditshme të çdo qytetari, si për shembull, ndërtimi i çerdheve të reja për fëmijë, ndërtimi i sa më shumë banesave në qytete me çmime të volitshme, krijimi i parqeve të qytetit. „Prandaj, zakonisht konfrontimet në mes të kandidatëve në debate të ndryshme kanë të bëjnë me gjëra konkrete“, thekson Kamenica.

Për komunitetin e huaj këto zgjedhje në nivel komunal kanë po ashtu një rëndësi të madhe, ngase i jepet mundësi çdo qytetari që jeton më shumë se 10 vjet në Zvicër dhe 3 vjet në kantonin Vaud të mund të votojë për çështje që kanë të bëjnë me menaxhimin e qytetit. Kushtetuta e kantonit Vaud mundëson që përpos konfrontimit të ideve mes partive politike për programet e tyre,  të merret parasysh edhe bindja e qytetarëve të huaj që të dalin ta ushtrojnë këtë të drejtë të votës që është një sfidë e këtyre zgjedhjeve. Vendin e këshilltarit nëpër komunat e këtij kantoni para katër vjetëve e kishin fituar 11 politikanë shqiptarë.

Sipas këtij rezultati, numri i këshilltarëve me kombësi shqiptare në komunat e kantonit Vaud mund të thuhet se është së paku dyfish më i madh se sa ishte në zgjedhjet e kaluara, ndërsa në këto zgjedhje gjasat janë që ky numër të trefishohet. Megjithatë, edhe në këto zgjedhje mbetet shumë për t’u bërë që të ngrihet më lart vetëdijesimi i shqiptarëve për të votuar, kur dihet se të drejtë vote kanë dhe të huajt me leje qëndrimi të përhershëm (C).

Në këto zgjedhje shqiptarët nuk garojnë vetëm me Partinë Socilademokrate, por edhe në partitë e djathta ose të mesit.