Lajme

Zgjedhje të parakohshme në Maqedoni?

Maqedonia mund të përfshihet në një proces zgjedhor, si rrjedhojë e tensioneve politike që ka përfshirë vendin.

Opozita në Maqedoni insiston se zgjedhjet janë zgjidhje për situatën e krijuar, pasi ata braktisën parlamentin javën që shkoi. Zyrtarë qeveritarë, por edhe përfaqësues të VMRO DPMNE-së në parlament nuk pranojnë se vendi është në krizë. Por, BDI-ja, partneri shqiptar në pushtet, nuk hedh poshtë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

Nga kjo parti thonë se vendi ka prioritete të tjera dhe do të donin një herë zgjidhjen e çështjes së emrit dhe zbatimin e regjistrimit të popullsisë, por nëse do të insistohej për një gjë të tillë, atëherë ata do të mbështesin këtë ide.

Zgjedhje kanë kërkuar edhe partitë opozitare shqiptare, PDSH dhe DR.

Skena politike në Maqedoni u tensionua kur një gjykatë vendosi që të bllokojë llogarinë bankare të Televizionit A1, që konsiderohet si televizioni më i shikuar dhe kritik ndaj pushtetit.Partitë opozitare e konsideruan këtë gjest si një presion të madh ndaj medies dhe grusht ndaj demokracisë, si dhe thanë se nuk duan që t’i japin legjitimitet qeverisë.Por, qeveria akuzoi se opozita po mbronte krimin, pasi pronari i televizionit dhe drejtues të tjerë janë në paraburgim të akuzuar për krime financiare.

Tonet e përplasjeve në mes të subjekteve politike sa shkojnë dhe rriten dhe prandaj kishte një reagim thuajse në një zë të diplomatëve të ndryshëm.

Ministri i Jashtëm slloven, Samuel Zhbogar, i cili vizitoi Shkupin tha se të gjitha forcat politike kanë përgjegjësi që të zhvillojnë debatin brenda institucioneve dhe bëri thirrje që partitë të kthehen sa më shpejt në kuvend.

Të njëjtën thirrje e bëri edhe ambasadori i BE-së në Shkup, Ervan Fuere, i cili përmendi prioritetet në të cilat duhet të fokusohet Maqedonia, si argument pse duhet dalë së më parë nga kjo situatë:

“Atë që e shoh si tejet tragjike në këtë situatë është se vendi po përballet jo vetëm me probleme serioze politike, por edhe ekonomike. Papunësia është rreth 30 për qind, 30 për qind e popullsisë jeton në pragun e varfërisë. Të gjitha këto çështje qeveria duhet t’i shqyrtojë me urgjencë edhe pse shfaqet kjo situatë politike. Kjo pamje i jep më shumë rëndësi nevojës që qeveria bashkë me liderët e tjerë politikë së bashku të punojnë që të zgjidhen këto probleme”, tha ambasadori Fuere.

Ndërkohë me anë të një letre kanë reaguar edhe Kryesuesi i delegacionit europarlamentar me Maqedoninë, Jorgo Shatzimarkakis dhe raportuesi i këtij institucioni për vendin, Zoran Thaler. Ata thonë se “Shkupi ndodhet në një udhëkryq serioz”.

“BE-ja është e shqetësuar nga zhvillimet e fundit. Prandaj u bëjmë thirrje të gjitha partive të përfshira t’i futen një dialogu të menjëhershëm për të gjetur zgjidhje kompromisi. Mungon ende një mesazh i qartë nga qeveria dhe nga vetë kryeministri në mbështetje të lirisë, pavarësisë dhe kriticizmit të medieve. Ndërhyrjet politike në media janë çështje e një shqetësimi serioz”, thuhet ndër të tjera në letër.

BE-ja, ndonëse jo në mënyrë direkte, nuk do të preferonte zgjedhjet e parakohshme në vend, por vëzhgues thonë nëse nuk gjendet zgjidhje, një gjë e tillë mund të ndërmerrej, pasi edhe opozita, edhe pushteti mund të pranojnë këtë sfidë, sepse të dy palët thonë se është moment kur mund të përfitojnë.