Integrimi
Zgjedhja ime deputet, dëshmi për hapjen e shoqërisë zvicerane
“I ardhur në Zvicër si 30 vjeçar dhe pa mbaruar shkollim të rregullt këtu, zgjedhja ime në parlamentin e kantonit mund të shërbejë si trimërim për të rinjtë tanë të lindur e të rritur në Zvicër”
Osman Sadiku është parlamentari i katërt shqiptar në Zvicër, që është zgjedhur në nivel kantonal. Betimin për këtë post, si deputet i Partisë Socialdemokrate, e ka dhënë më 26 qershor.
Bagazhin e tij solid në angazhimet politike – ka qenë kryetar i Forumit Rinor të LDK-së, në fillim të vitet 90 në Kosovë – Osmani e ka pasuruar më tej edhe me punën e tij rreth 15 vjeçare në fushë të migracionit, në kantonin Glarus. Këtu ai ka punuar kryesisht për Kryqin e Kuq dhe paralelisht me punën, ka mbaruar për specialist të migracionit. Para se të vinte në Zvicër, ai në Prishtinë kishte diplomuar për inxhinier të elektroteknikës, profesion ky të cilin, mjerisht, për rrethana që dihen, nuk ka mundur ta ushtronte.
Por, si ka ndodhur që ai të hynte në politikën e këtushme, cila ka qenë rruga e angazhimit të tij të deritashëm politik, dhe si e ka gjetur veten Osmani në një ambient të ri politik? Për këto dhe çështje tjera, Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me të.
“Në Partinë Socialdemokrate jam prej rreth 7 deri 8 vitesh. Para kësaj kam qenë pjesë e një grupi aktivistësh shoqërorë që synonin futjen e të drejtës së votës për të huajt, në nivel të kantonit dhe të komunës Glarus. Rreth katër vjet ka zgjatur puna deri sa kemi arritur që këtë çështje ta sillnim para parlamentit të qytetit dhe pastaj edhe para tubimit (asamblesë) së qytetarëve. Parlamenti e ka vlerësuar këtë si kërkesë të lejueshme dhe ia ka drejtuar tubimit të qytetarëve, ku, për fat të keq, kemi humbur. Por edhe kjo ka qenë një e arritur e mirë e jona. Për të lejuar votimin e të huajve duhet të ndryshohet kushtetuta, ndërsa këtë kompetencë këtu e ka vetëm tubimi i qytetarëve dhe jo parlamenti”, sqaron Osman Sadiku.
Përvojën e parë elektorale në Zvicër ai e ka bërë në zgjedhjet për Asamblenë e Komunës, para rreth 3 vjet e gjysmë.
“Nuk kam mundur të zgjidhem, respektivisht kam qenë i dyti në radhë, pas të fundit në listë që është zgjedhur. Ndërsa në zgjedhjet për nivelin kantonal, që janë zhvilluar para tri vitesh, sërish kam qenë kandidati pasues në listë, menjëherë pas atij që ishte zgjedhur. Këtu, kam pasur diku mbi 600 vota, në një rreth zgjedhor prej 17 mijë votuesish, që nxjerr 25 deputetë”.
Në Parlamentin e Kantonit të Glarusit, Osmani sot bën pjesë në mesin e 8 deputetëve të SP-së.
“Ne veprojmë si grup parlamentar dhe para se të iniciojmë çështje të caktuara në parlament, ne konsultohemi në grup. Pastaj shikojmë se cili do ta shtrojë atë çështje në parlament, duke mbajtur parasysh që këtë duhet ta bëjë dikush i aftë që të formojë shumicë. Dhe për të formuar shumicë ne e bisedojmë çështjen edhe me deputetë nga partitë tjera”, thekson bashkëbiseduesi ynë.
Pasi jam i huaj dhe me profesion specialist i migracionit, është afër mendsh se mua më bie më shumë që “t`i shtyj” çështjet që lidhen me të huajt. “Qysh tash jam duke e përgatitur një interpelacion për pranimin humanitar. Praktikat që ndiqen në Glarus në këtë drejtim janë mjaft më të ashpra se sa parasheh ligji. Konsideroj se duhen zbutur ato sepse duhet ofruar kushte normale jetese edhe kësaj kategorie”, thotë Sadiku.
Glarusi, me gjithë faktin se është kanton i vogël e malor, ka një karakteristikë të veçantë që e bën atë të jetë madje më progresist se disa të tjerë. “Është ndër kantonet e para që ua kanë njohur grave të drejtën e votës. Pastaj këtu është futur e drejta e votës për të rinjtë prej 16 vjet, që është ndoshta rasti i parë në Zvicër”, sqaron Osman Sadiku, tek flet për kantonin ku jeton nga viti 1995.
“Dhe, çka është edhe më specifike, pikërisht asambleja e qytetarëve (tubimi i qytetarëve, relikt ende i gjallë i demokracisë autentike të drejtpërdrejtë zvicerane) ka luajtur rol progresist në këto çështje. Në Glarus, asambleja, në disa pika është edhe më liberal se parlamenti dhe qeveria”, shprehet deputeti më i ri shqiptar në Zvicër.
Osman Sadiku qysh tash e ka të siguruar kandidimin dhe mbështetjen e partisë së tij për zgjedhjet e ardhshme kantonale. “Pas kalimit të mandatit, në maj të vitit të ardhshëm, jemi marrë vesh se do të jem ndër kandidatët për tu rizgjedhur”, thotë ai.
Ndërsa duke folur për “ndarjen e meritave” për zgjedhjen e tij ai thotë: “ka pasur një numër të mirë shqiptarësh që kanë votuar për mua, unë e kam ndier përkrahjen e tyre. Ata mund të mos jenë përcaktues në fitoren time, por megjithatë, pa votën e tyre nuk do të zgjidhesha”, thotë ai, me mirënjohje për zgjedhësit shqiptarë.
“Unë falënderoj me këtë rast votuesit zviceranë që më kanë falur këtë besim, të cilin duhet ta arsyetoj duke punuar edhe më shumë. Por falënderimi im shkon te Zvicra, vendi që na ka strehuar kur e kemi pasur më të nevojshme dhe na ka ndihmuar ekonomikisht e politikisht. Po ashtu e shoh si meritë të Zvicrës sistemin që u mundëson të huajve, sikur në rastin tim, për tu zgjedhur në nivele të tilla përfaqësimi siç është parlamenti i Kantonit”.
Osmani shprehet se aktiviteti i komunitetit shqiptar në kantonin Glarus është mjaft i zbehtë dhe lë shumë për të dëshiruar.
“Aktivitete specifike kombëtare mbahen shumë rrallë. Nuk ka as shoqatë që do të vepronte rregullisht”, thotë Osmani. Megjithatë, pas një pauze të gjatë, ka filluar sërish funksionimi i shkollës shqipe. Dhe kjo është një shenjë shprese për lëvizje të tjera pozitive, sipas tij.
Osmani është optimist sa u përket të rinjve shqiptarë në Glarus. “Ka disa lëvizje pozitive. Kështu, në kantonin tonë se fundi një vajzë e re ka hyrë në kryesinë e JUSO-s (të rinjtë socialdemokratë). Ky është shembull i mirë dhe unë po bëj përpjekje që t i nxis edhe të rinjtë tjerë shqiptarë këtu që të angazhohen në politikë. Mendoj se, duke qenë i ardhur në Zvicër si 30 vjeçar dhe pa mbaruar shkollimin e rregullt këtu, zgjedhja ime në parlamentin e kantonit mund të shërbejë si trimërim për të rinjtë tanë këtu. Ata që janë të lindur rritur e shkolluar në Zvicër” përfundon Osman Sadiku.
Blerim SHABANI
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës