Kriza në Ukrainë

Zelensky e pranon: Vullnetarë të huaj luftojnë krah Ukrainës

Për herë të parë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka pranuar se në frontin e luftës ka disa formacione me vullnetarë të huaj që luftojnë përkrah trupave vendase kundër ushtrisë së Putinit.

Lideri ukrainas foli dhe në lidhje me propozimet që po dalin nga liderët perëndimorë për dërgimin e ushtarëve në Ukrainë. Ai deklaroi se një gjë e tillë nuk mund ta thotë publikisht, pasi kjo gjë është shumë e rrezikshme dhe do të përhapte konfliktin.

“Presidenti Macron ka disa propozime të ndryshme, por dua të shpjegoj qëndrimin tim. Sot nuk mund të them publikisht “ushtri të mbarë botës ejani në Ukrainë dhe luftoni”. Kjo, sepse Rusia do ta përdorte këtë gjë dhe do të ishte shumë e rrezikshme për ne”.

Ndërkohë, 24 orët e fundit nuk kanë qenë të qeta në Ukrainë, por as në Rusi, transmeton cnn, përcjell albinfo.ch.

Trupat ruse lëshuan disa raketa në drejtim të Kharkivit, të cilat shkatërruan dy banesa dhe plagosën 3 civilë që jetonin në to. Kundërpërgjigjja e Ukrainës nuk mungoi, teksa disa dronë sulmuan një linjë të furnizimit me gaz në Belgorod, duke e dëmtuar atë.