Shkurt.ch

Zbulohet implantati për dobësim pa ushtrime dhe pa dieta

Hulumtuesit nga ETH Zürich tashmë e kanë prodhuar një implantat të tillë i cili ka funksionuar me sukses te minjtë

Një grup hulumtuesish shkencorë nga universiteti prestigjioz i Zvicrës ETH Zürich ka zhvilluar një metodë interesante e cila besohet se do ta revolucionarizojë procesin e humbjes së peshës, duke e bërë atë të lehtë e pa mundime. Ideja e prezantuar nga ETH konsiston në një implantat që do të “mbillet” në trupin e njeriut ku do të përgjojë vlerat e yndyrës në gjak.

Në rastet kur pjesëmarrja e yndyrës në gjak është e lartë, që ndodh pas një shujte të bollshme me yndyrëra, implantati e aktivizon një materie paralajmëruese e cila sinjalizon ngopjen.

Hulumtuesit nga ETH Zürich tashmë e kanë prodhuar një implantat të tillë i cili ka funksionuar me sukses te minjtë. Por, siç thotë bioteknologu Martin Fusseneger, ky eksperiment nuk mund të bartet kaq thjeshtë edhe te njerëzit.

Zhvillimi i një produkti të përshtatshëm në këtë drejtim mund të marrë vite të tëra.

Por ai ka shtuar se megjithatë, është fare lehtë e parashikueshme se dikur do të jetë e mundur që personave me peshë tepër të madhe, me treguesin BMI shumë më të lartë se 30, tu implantohet një rrjet i ngjashëm gjenetik, që do t`i ndihmonte ata për të humbur peshë.  Kjo do të ishte një alternativë e mirë për ndërhyrjet kirurgjike si thithja e yndyrës nga trupi ose operimi i lukthit.