Kosova

Zarfet nga Serbia do t’i kontrollojnë ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë

Autoritetet në Prishtinë kanë paralajmëruar se mostrat e këtyre zarfeve do të hetohen nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, për të vërtetuar se për çfarë bëhet fjalë.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së kësaj klinike, Linda Ajazaj-Berisha, tha për Radion Evropa e Lirë se gjendja e pacientëve është e mirë dhe janë duke u bërë analizat e nevojshme, për të kuptuar shkakun e shfaqjes së reaksionit alergjik.

Ndërsa, Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës janë duke kryer ekzaminimet e nevojshme, për të zbuluar detajet se si ndodhi rasti.

Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Prokurorisë së Shtetit, tha për Radion Evropa e Lirë se për vazhdimin e punës së mëtejme janë duke pritur edhe rezultatet e analizave toksikologjike.

“Sapo e kemi pranuar informatën, prokurori i shteti ka dalë në vendin e ngjarjes për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, hetimet. Ndërkaq për pjesën tjetër për momentin nuk mund të japim informata të tjera. Sapo t’i marrim rezultate e analizave [shëndetësore], atëherë besoj se Prokuroria do të jetë në gjendje të deklarohet lidhur me ketë çështje”, tha Lutfiu.

Policia e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë informatë shtesë lidhur me hetimet që po zhvillon, derisa në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thonë se janë duke pritur autoritetet kompetente që të dalin me përfundimet e tyre lidhur me këtë rast, në mënyrë që më pas, KQZ-ja të vazhdojë punën normale, përcjell albinfo.ch.