Opinione

Zallamahia e mahallës së horrave

Sa i përket rregullimit politik të shtetit, do të duhej të mësonim diçka nga sistemi zviceran, një nga shtetet më të suksesshme në botë.

Në Zvicër, politikat funksionojnë në bazë të një sistemi të ashtuquajtur konkordancë. Është një marrëveshje politike që funksionon prej gati një shekulli.

Sipas këtij sistemi, ndarja e posteve ministrore në Qeveri, ose në Këshillin Federal, siç quhet atje, bëhet nëpërmjet një formule të njohur si formula magjike, sipas së cilës partitë e mëdha marrin nga dy poste ministrore në një qeveri 7-anëtarëshe.

Momentalisht, janë katër parti të përfaqësuara në qeveri. Tri prej tyre kanë nga dy poste ministrore dhe njëra parti ka një vend në qeveri. Kryetari i qeverisë ndërrohet çdo vit, sipas një rotacioni.

Qeveria funksionon në bazë të principit të kolegialitetit, sipas të cilit, pasi një vendim merret me shumicë votash, të gjithë anëtarët e qeverisë janë të obliguar që publikisht ta prezantojnë dhe mbrojnë atë vendim, edhe nëse gjatë votimit kanë qenë kundër.

Në qeveri gjenden pranë njëra-tjetrës parti që kanë orientime dhe interesa krejtësisht të ndryshme. Politika është e orientuar drejt konsensusit, me qëllim që gjithmonë të gjendet një emërues i përbashkët dhe të krijohet një shumicë në të mirë të vendit.

Nuk duhet të kemi iluzione dhe të jemi naivë, pasi këto vendime shpesh janë të ndikuara nga interesa dhe nuk janë gjithmonë në dobi të shumicës së popullit.

Por më e rëndësishmja është se kundërshtari politik nuk shihet si armik, por nga njëra anë shihet si konkurrent dhe nga ana tjetër si partner i mundshëm për ndonjë temë të përbashkët.

Unë, si anëtar i një parlamenti kantonal, çdo herë mbetem i mrekulluar kur, pas një debati të fortë, pasi gjithë ditën kemi kritikuar dhe sulmuar njëri-tjetrin për çështje të ndryshme politike, në fund të seancës gjendemi të gjithë bashkë – anëtarë të të gjitha partive – në të njëjtën kafene dhe sillemi me njëri-tjetrin në mënyrë miqësore, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Kur do ta arrijmë ne një nivel dhe kulturë të tillë?

Do të ishte mirë që tani të lihen mënjanë llafet dhe të mos e helmojmë më tej ambientin shoqëror me komente qëllimkëqija dhe armiqësore.

Jo ky është prej Tërnoci, jo ky prej Badoci, jo ky nga Anamali, jo ky kështu, jo ky ashtu. E kemi shndërruar politikën në një llomotitje të pafund, ku një klasë badihavxhinjsh, çdo mbrëmje popullojnë televizionet, duke vjellë vrer mbi kundërshtarët politikë dhe duke i trajtuar ata si armiq. Një mahallë e tërë horrash, të cilët e quajnë veten analistë, helmojnë çdo natë mjedisin tonë shoqëror për pagesa të majme – përndryshe nuk do ta humbnin kohën, çdo natë, me llafe të kota.

Përkatësia politike është shndërruar në fe apo sektarizëm, ku në mënyrë të verbër i besohet anëtarit të partisë, sikur të ishte i dërguari i Zotit në tokë, pa marrë parasysh sa hajn dhe i korruptuar është.

Vendi është çliruar që një çerek shekulli dhe është koha që të ecim përpara.

Lërini, ju lutem, tifozllëqet!

Përfaqësuesit e popullit duhet të vlerësohen dhe të gjykohen në bazë të asaj që kanë bërë, ose nuk e kanë bërë. Ndërsa ne sillemi si një shoqëri klanore, që edhe nëse “i imi” i ka bërë njëmijë të zeza, unë e mbroj vetëm pse është i mahallës apo krahinës sime. Ndërsa me kundërshtarin politik, edhe sikur të jetë më i miri i botës, sillem sikur të ishte horri më i madh.

Është koha e fundit që të zgjohemi dhe ta rregullojmë pak mjedisin tonë shoqëror dhe politik.

Opinion nga Gzim Hasanaj, deputet në Parlamentin e Kantonit Baselland